Pas shpalljes së datës së Kuvendit Kombëtar, polemikat në radhët e demokratëve edhe këtë të martë shënuan një zhvillim të ri, kur ish-kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje simpatizantëve demokratë në mbarë vendin se misioni i tyre tani është i veçantë dhe kërkon rikthimin e vlerave konservatore në Partinë Demokratike.
Gjatë fjalës përpara përkrahësve të tij në Kamëz, Berisha e vendosi theksin tek rëndësia e “Foltores”, sipas të cilit është misioni i dytë më i madh në tre dekadat e fundit në Shqipëri.
“Kauza jonë është kauza themelore e lirisë, është kauza e lirisë e qytetarit që do të jetojë me nder dhe dinjitet është kauza e qytetarëve që e kuptojnë dhe besojnë se pa pluralizëm politik nuk ka liri”, tha Berisha.
Sipas tij, “Foltorja” tashmë është shndërruar në uraganin e shpresave të shqiptarëve, ku asgjë tjetër në këto 30 vite nuk ka ngjallur kaq gëzim dhe optimizëm në rrugët e fshatrave të Shqipërisë, nga ’91 deri më sot.
Ish-kryeministri theksoi se kësaj radhe ky uragan i shpresës do të përballet, dhëmbë për dhëmbë, me narkoshtetin, diktaturën dhe do ta përmbysë atë, do ta ngrejë edhe një herë Shqipërinë në këmbë.
Marrëdhëniet e afërta mes ish kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike pësuan një thyerje të thellë kur sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, e shpalli Berishën dhe familjen e tij si të papërshtatshëm për të shkuar në SHBA, ndërsa Basha e përjashtoi atë nga grupi parlamentar i opozitës.
Gjatë një fjalimi në parlament, kreu i PD-së akuzoi për një bashkëpunim mes presidentit Meta, kryeministrit Rama dhe ish-kryeministrit Berisha, duke i etiketuar si “trekëndëshi i Bermudës, brinjët e të cilës do të zbërthehen një nga një”.
Por disa ditë më parë, Berisha dëshmoi përsëri këmbënguljen e tij kur deklaroi në një tjetër tubim se ai do të kandidonte për postin e kryetarit të Partisë Demokratike në Kuvendin Kombëtar, i cili pritet të mbahet me 11 dhjetor.
Por sipas interpretimeve mbi statutin nga ana e Bashës, është kryetari ai që vendos nëse thirret apo jo një Kuvend i partisë. Basha ka kujtuar se ai sapo është rizgjedhur kryetar i Partisë Demokratike me një shumicë dërrmuese votash.
Ai ka propozuar në Kuvend një proces vettingu për pastërtinë e pasurive dhe integritetin e politikanëve, në mënyrë të ngjashme me atë që po bëhet për gjyqtarët, madje shprehu gatishmërinë që ky vetting të nisë së pari nga kryetari i opozitës para se të përfshijë qeverinë dhe gjithë politikanët e tjerë.
Polemikat mes politikanëve kryesorë të Partisë Demokratike kanë shkaktuar një debat të gjerë mes deputetëve dhe bazës së kësaj partie lidhur me autoritetin kryesor drejtues të partisë.
Top Channel