Maqedonia e Veriut hyn në një fazë të mungesës së stabilitetit politik pasi kryeministri, Zoran Zaev bëri të ditur dorëheqjen pas humbjes së rëndë të partisë së tij Unioni Social Demokratik i Maqedonisë, SDSM në zgjedhjet lokale të së dielës, shkruan DW në analizën e saj.

“Unë marr përgjegjësinë për rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe prandaj jap dorëheqjen si kryeministër dhe president i Unionit Social Demokratik”, tha Zaev në selinë e partisë së tij. Ky njoftim erdhi pasi partia kryesore e opozitës, VMRO-DPMNE nacionaliste fitoi të paktën gjysmën e 80 komunave, ndërsa socialdemokratët fituan më pak se 20. Ky rezultat shënon një kthesë në skenën politike të Maqedonisë së Veriut: Pesë vite më parë, ishin socialdemokratët që fituan 57 komuna dhe VMRO-DPMNE vetëm 5.

Zaev tha se vendosi të dorëhiqet pasi partia e tij dështoi të marrë shumicën. “Më 31 tetor ne ishim për all-in – për gjithçka”, tha ai duke përdorur shprehjen në anglisht. Një javë më parë, Zoran Zaev i tha një televizioni lokal: “Vendimi është marrë, njerëzit do të vendosin. Ky nuk është kërcënim”. Siç e shpjegoi ai më vonë, qëllimi i tij ishte të mobilizonte “pjesën progresive” të shoqërisë në mbështetje të qeverisë së tij proeuropiane dhe politikave liberale. Ky plan dështoi. Shumë votues që nuk ishin të bindur për asnjërën nga partitë kryesore preferuan më mirë të qëndronin në shtëpi, se të votonin për kandidatët, që nuk i konsideronin të përshtatshëm.

Pressekonferenz der Nordmazedoniens Premierminister Zoran Zaev nach den Kommunalwahlen

Premtime të shkelura

I parë si një zë i rrallë i moderuar në rajonin e paqëndrueshëm të Ballkanit, Zoran Zaev fitoi reputacion ndërkombëtar për zgjidhjen e konfliktit të vjetër të emrit me Greqinë dhe ndryshimin e emrit të vendit në “Maqedoni e Veriut” në vitin 2018. Republika e dikurshme e Maqedonisë u bë anëtare e NATO-s në mars 2020 me emrin e ri. Veto nga Franca në vitin 2019 dhe Bullgaria bllokuan rrugën e këtij vendi në drejtim të Bashkimit Europian, duke e lënë premtimin më të rëndësishëm të Zaevit të papërmbushur.

Prej kohësh opozita nacionaliste, që e kundërshtoon marrëveshjen me Greqinë e damkosi Zoran Zaev si “tradhtar”, por ashtu shumica e votuesve të Zaevit nuk i mbështetën më shumë nga politikat e brendshme të tij. Reformat e premtuara në sundimin e shtetit ligjor, në drejtim të luftë kundër korrupsionit, nepotizmit kronik dhe ekonomisë tarafeve nuk u bënë realitet. Stanjacioni ekonomik dhe problemet në menaxhimin e pandemisë Covid-19 e shtuan zhgënjimin e votuesve.

Por më e rëndësishmja, shumë nga “votuesit progresivë” siç i quan Zaev ata, thjesht humbën shpresën në shansin e pranimit të vendit në BE. Besimi se Maqedonia e Veriut një ditë do të jetë anëtare e Bashkimit Europian është në nivelet më të ulta në publik, dhe shumë vetë nuk shohin më arsye pse të votojnë për politikanët dhe politikat pro-europiane pas vitesh zhgënjimi dhe premtimeve të shkelura nga Brukseli apo kryeqytetet e tjera europiane.

Koalicioni qeverisës i Maqedonisë së Veriut i përbërë nga socialdemokratët dhe Bashkimi Demokratik kanë një mazhoritet të ngushtë, 62 vende nga 120 gjithsej. Pas dorëheqjes së Zoran Zaevit mbetet të shihet, nëse socialdemokratët do të vazhdojnë të qeverisin me një lider të ri. Alternativat e tjera – një qeveri e drejtuar nga VMRO-DPMNE apo zgjedhjet e parakohshme nuk duken realiste për momentin.

Zoran Zaev dhe partia e tij janë kundër zgjedhjeve të reja, zgjedhjet e fundit u mbajtën në korrik 2020, kurse Hristjan Mickoski, drejtuesi i partisë opozitare, VMRO-DPMNE të dielën bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme, por nuk përmendi një afat të caktuar. “Partia qeverisëse tani është e delegjitimizuar, dhe ky është realiteti i ri. Mënyra më e mirë për të ecur përpara janë zgjedhjet e parakohshme”, tha Mickoski. Vetë partia opozitare do ishte e lumtur të priste deri në pranverë, për të ditur, nëse kryesimi në sondazhe do të vazhdojë të rritet edhe më tej duke marrë në konsideratë vështirësitë që ka qeveria.

Zaev largohet, por kush vjen?

Muajt e ardhshëm nuk do të jenë të lehtë për Maqedoninë e Veriut. Veç situatës së vështirë ekonomie dhe pandemisë, vendi po përballet me pasiguri të tjera për shkak të krizës energjetike që ka përfshirë të gjithë Europën. Në vend flitet ndërkohë për kufizime të energjisë elektrike dhe çmimet janë rritur.

Po ashtu qeveria ishte duke planifikuar rifillimin e bisedimeve me vendin fqinj, Bullgarinë pas zgjedhjeve, me qëllim të gjetjes së një kompromisi për të hapur dyert e çeljes së negociatave me BE në samitin e dhjetorit të shteteve të BE. Sofja i ka bllokuar bisedimet e anëtarësimit për dy vjet, duke insistuar që Shkupi fillimisht të pranojë, se gjuha maqedonase është një dialekt bullgar dhe se identiteti i maqedonasve të sotëm është në të vërtetë bullgar.

Nord-Mazedonien Premierminister Zoran Zaev und sein Gast Alexis Tsipras in SkopjeZoran Zaev arriti të zgjidhë konfliktin me Greqinë duke ndryshuar emrin në Maqedoni e Veriut – në pamje me kryeministrin e atëhershëm grek. Aleksis Tsipras

Në një kohë që socialdemokratët maqedonas ishin të gatshëm për një kompromis, opozita e VMRO-DPMNE është kundër çdo lloj negociatash mbi identitetin kombëtar. Zoran Zaev e drejtoi Maqedoninë e Veriut në një nga periudhat më të vështira pas 10 vitesh të regjimit të Nikola Gruevskit e VMRO-DPMNE-së, por pas katër vitesh në krye të qeverisë, Zoran Zaev duket se largohet i zhgënjyer nga votuesit dhe nga ndërkombëtarët. “Nuk është e vështirë të largohesh nga politika“, tha Zaev të dielën. “Ajo që është e vështirë është fakti, se si votuan zgjedhësit.”

Por fakti është që votuesit maqedonas veriorë kanë humbur besimin në rrugën drejt BE, të cilën e promovuan Zaev dhe partia e tij, po ashtu edhe besimin se këta politikanë e kanë aftësinë t’i çojnë drejt BE. Socialdemokratët duhet të zgjedhin sa më shpejt një drejtues të ri tani e të shpresojnë, se ai do të pranohet nga shumica. Për fat të keq Zoran Zaev nuk kanë lënë një pasues bindës si në parti edhe në qeveri. Dhe si një zyrtar socialdemokrat i tha DW-së anonimisht, nëse ka shumë kandidatë që kanë vullnetin të marrin në dorë drejtimin e partisë, nuk ka shumë të interesuar të marrin në dorë frenat në një krizë të thellë politike dhe ekonomike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA