Partitë e koalicionit qeveritar në Maqedoninë e Veriut nuk e pranojnë dorëheqjen e kryeministrit, Zoran Zaev, të cilën e bëri të ditur të dielën (31 tetor) në mbrëmje pas disfatës së thellë të partisë së tij në zgjedhjet lokale.
Drejtuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), të Lëvizjes Besa, të PDSH-së, dhe partitë tjera më të vogla maqedonase, thanë pas një takimi të realizuar të hënën pasdite se Qeveria duhet të vazhdojë punën me çdo kusht për të çuar reformat përpara, përfshirë edhe kontestin e hapur me Bullgarinë dhe integrimet për në Bashkim Evropian.
Mazhoranca është stabile dhe se nuk ka nevojë të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, thanë ata.
“Të gjithë bashkërisht dhamë njëzëri përkrahje për shumicën parlamentare, për programin e Qeverisë për vazhdueshmërinë e politikave aktuale në veçanti në aspektin e integrimit evropian, në aspektin e reformave, në aspektin e sigurisë dhe siguruam edhe vetë kryeministrin Zaev se, ne partnerët tjerë jemi njëzëri në mbështetje të politikave qeveritare”, ka deklaruar zëvendëskryeministri, Artan Grubi, sekretar organizativ i BDI-së.
Edhe lëvizja BESA, që fitoi BDI-në në Tetovë që është komuna më të madhe e banuar me shqiptarë, doli kundër dorëheqjes së Zaevit
“Nga takimi u dakorduam se në këtë situatë, në këtë pozicion politik në të cilin gjendet shteti zgjedhjet e parakohshme eventuale do të kishin komplikuar akoma më tepër edhe aspektin ekonomik, social shëndetësore dhe të sigurisë”, tha Arjanit Hoxha nga Lëvizja BESA.
Pas takimit, kryeministri në dorëheqje, Zoran Zaev nuk është prononcuar për mediat.
Partia e tij Lidhja Social Demokrate pësoi disfatë të thellë nga VMRO DPMNE-ja opozitarë në dy raundet zgjedhore më 17 dhe 31 tetor.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, VMRO DPMNE-aj ka fituar 41 komuna nga 80 sa ka gjithsej Maqedonia e Veriut, dhe Shkupin si njësi e veçantë e pushtetit lokal. LSDM-ja ka fituar 16 komuna, BDI-ja dhjetë komuna, Lëvizja BESA dy komuna, Aleanca për Shqiptarët gjithashtu dy komuna, ndërsa partitë tjera nga një komunë.
“Unë marr përgjegjësinë për rezultatet e dobëta dhe paraqes dorëheqjen edhe nga posti i kryeministrit, sikur edhe nga posti i kryetarit të partisë. Nuk mendoj se duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Do të qëndroj këtu gjatë kësaj periudhe për të organizuar një Qeveri të re me një shumicë progresive që mund edhe të zgjerohet”, ka deklaruar Zaev duke pranuat disfatën në zgjedhje.
Kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, tha më herët se “Zaev duhet ta pranojë realitetin, të pranojë mesazhin e popullit dhe të largohet”.
“Ne dëshmuan se edhe përkundër dallimeve mund të bashkohemi rreth qëllimit të përbashkët, për një Maqedoni pa korrupsion dhe e cila do të ec përpara, për një Maqedoni të integruar në Bashkimin Evropian. Këtë mund ta bëjë një bllok i bashkuar opozitar që tashmë është realitet dhe që do të sjell një fitore bindshme në zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, ka deklaruar Mickovski./ REL
Top Channel