Ish-ministri Fatmir Mediu ka dorëzuar rekursin sot në Gjykatën e Lartë duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit që i hapi rrugë rihetimit dhe gjykimit të tij.

Avokati Ardian Visha argumenton se vendimi është antikushtetues. Sipas tij, cenon parimin e gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj.

Më tej, mbrojtja Mediut argumenton se vendimi është i cenueshëm, sa kohë një gjykatë e një shkalle më të vogël ka prishur një vendim të Gjykatës së Lartë.

Për mbrojtjen, ndjekja penale për  rastin është e parashkruar për shkak të viteve.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) regjistroi procedim penal ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu, për çështjen e Gërdecit për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me tragjedinë e Gërdecit ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në zbatim të vendimit nr. 205, datë 24.09.2021, të Gjykatës së Posaçme të Apelit, pasi ka tërhequr nga Gjykata e Lartë aktet e dosjes penale në ngarkim të z. Fatmir Mediu, ka regjistruar procedim penal për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal dhe 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu”, njofton SPAK.

Kjo lëvizje e SPAK erdhi pasi Gjykata e Posaçme e Apelit, GJKKO, në datën 24 shtator 2021 riktheu për hetim në SPAK dosjen e ‘Gërdecit’.

Në vendimin e Apelit të GJKKO-së thuhej se çështja nuk është gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hap rrugë procesit për rihetim.

Nuk është gjë e gjykuar. Afatet e parashkrimit janë respektuar se është marrë i pandehur që në vitin 2009. Pengesa e imunitetit ishte përkohshme. Rënia e kushtit për pasur imunitet konsiderohet fakt i ri që hap rrugën e gjykimit”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës.

Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku Shqipëria u trondit nga shpërthimi i një depoje të armëve ushtarake në Gërdec, në afërsi të Tiranës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA