Zgjedhjet lokale të djeshme ndryshuan hartën politike shqiptare në Maqedoninë Veriore. BDI-ja e humbi Tetovën pas dy mandatesh, kurse për një mandat i mbajti Kërçovën, Strugën dhe Çairin.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tha se partia e tij ishte fituese në bllokun politik shqiptar, por nuk e komentoi humbjen në Tetovë, e cila deri më tani ishte bastion i BDI-së.
“Dua të falënderoj të gjithë votuesit, elektoratin e BDI-së, të gjithë shefat e kabineteve, shtabet qendrore, të gjithë kryetarët e degëve dhe këshillave lokale, për punën e palodhshme në këtë proces si në raundin e parë ashtu edhe në të dytin”, tha ai.
Bilal Kasami mori Tetovën dhe kështu u bë bastion i ri i Besës dhe morën edhe Zhelinen. Kasami tha se Besa do të jetë partia kryesore shqiptare në zgjedhjet e ardhshme. Por duke folur për kalkulimet për një shumicë të re parlamentare, Kasami tha se mazhoranca ishte e qëndrueshme dhe funksionale.
“Mendoj se këto janë zgjedhje lokale dhe janë rezultat i kandidaturave që ishin vendore”, u shpreh ai.
Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa fitoi Gostivarin dhe Vrapçishten. Kandidati i opozitës shqiptare fitoi me diferencë të madhe ndaj Nevzat Bejtës nga BDI në Gostivar. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës Arben Taravari ka shpallur shumicën e re parlamentare.
“Mendoj se nga nesër do të fillojmë negociatat për qeverinë e re. Kjo mazhorancë qeveritare LSDM-BDI nuk ka më kredibilitet te popullata”, u shpreh ai.
Në zgjedhjet lokale në të dy raundet, BDI fitoi shumicën e komunave me shumicë shqiptare, opozita shqiptare dhe partia e Kasamit fituan nga dy komuna, ndërsa PDSH-ja fitoi një./AlsatM
Top Channel