Balla: Të hënën gati të ngremë Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Javën e ardhshme do prezantojmë anëtarët

30/10/2021 14:13

Kryetari i grupit Parlamentar në Partinë Socialiste Taulant Balla ka vlerësuar bashkëpunimin me PD-në për Reformën Zgjedhore dhe ka njoftuar miratimin për ngritjen e Komisionit të Posacëm të Reformës Zgjedhore

Në fjalën e tij, theksoi se kanë dakordësinë e plotë për këtë reformë dhe javën e ardhshme do zgjidhen dy bashkëkryetarët dhe përbërja e komisionit për të shkuar më pas tek ulja në tryezë.

Balla tha se PD do të jetë gati brenda ditës së martë për të ngritur sa më shpejt Komisionin. Sa i përket propozimeve të opozitës, sqaroi se janë 100% të hapur për të diskutuar çështjet.

“Kuvendi i Shqipërisë është vendi i dialogut politik. Dëshiroj dhe dua të shpreh gatishmërinë e PS dhe grupit të saj parlamentar, se disponibiliteti ynë për dialog dhe gatishmëria jonë për të bashkëpunuar për çështje që lidhen jo vetëm me punën parlamentare por me reforma të duhen çuar para, është i pakursyer. Asaj që ju i referoheni, përmes grupeve parlamentare në Kuvend ka dialog. Ne kemi diskutuar në Konferencën e kryetarëve me përgjegjshmëri për të zhbllokuar çdo lloj ngërçi që krijohet përgjatë punës, qoftë në komisionin e posaçëm që ju i referoheni. Besoj se kjo punë e mirë që po vijon, kjo klimë dialogu konstruktiv duhet të vazhdoje.

Secila palë ka axhendën e vetë, por ajo që dua të apeloj sot është që gjithçka mund ta zgjidhim përmes uljes në një tryezë për të gjitha çështjet. Javën e ardhme do të kemi besoj miratimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Ne jo vetëm që kemi dakordësinë e plotë për ngritjen e komisionit, por do të prezantojmë dhe përbërjen e këtij komisioni nga ana e PS. Ju kujtoj se komisionet e posaçme kanë formulën e bashkëdrejtimit, një nga PS dhe një nga PD.

Besoj se PD do të jetë gati brenda ditës së martë që të diskutojmë për të ngritur sa më shpejt komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Ne duhet ta institucionalizojmë këtë moment të rëndësishëm për këto çështje që duhen diskutuar. PD ka ardhur me disa propozime konkrete, për të cilat Rama dhe unë e kam thënë, ne jemi 100% të hapur për të diskutuar çështjet, pa asnjë lloj pengese dhe parakushti”, tha Balla.

Nuk la pa përmendur zgjatjen e afateve të vettingut duke i bërë thirrje grupeve parlamentare të opozitës që të miratohen ndryshimet sa më shpejt në mënyrë që të vijojë puna për reformën në drejtësi.

“Por duhen ndjekur procedurat parlamentare. 39 deputetë te PS kanë propozuar një ndryshim kushtetutës që lidhet me kohëzgjatjen e afatit te institucioneve të vettingut, me qëllim që ky proces të përfundojë. Thirrja ime është për grupet parlamentare të opozitës, që t’i miratojmë këto ndryshime sa më shpejt. Miqtë tanë ndërkombëtarë bëjnë thirrje që të miratohen këto ndryshime deri në fund të këtij sesioni parlamentar”, tha Balla.

Dhjetë deputetë të Partisë Demokratike depozituan kërkesën në Kuvend për të ringritur një Komision të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Qëllimi i këtij komisioni të posaçëm do të jetë hartimi i ndryshimeve kushtetuese dhe adresimi në kuadrin ligjor të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Në kërkesën e saj PD shkruan se ka konstatuar 5 tipologji shkeljesh të rënda në zgjedhjet e 25 Prillit dhe se të gjitha këto problematika meritojnë trajtim të veçantë nga Kuvendi në mënyrë që të adresohen nëpërmjet nismave ligjore dhe të mos përsëriten në zgjedhjet e ardhshme.

PD kërkon që komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore duhet të ketë anëtarësi të barabartë mes shumicës dhe pakicës dhe afat 6-mujor nga data e miratimit të këtij vendimi.

Kjo kërkesë vjen pas ngritjes së Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, që sipas selisë blu puna e këtyre dy komisioneve duhet parë si komplementare, me qëllim garantimin për qytetarët të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Më herët Partia Demokratike ka dorëzuar në Kuvend ndryshimet kushtetuese për reformën zgjedhore që kërkojnë zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut 2020, rikthimin e koalicioneve parazgjedhore dhe rikthimimin e komunave në ndarjen territoriale me funksionin e saj.

Top Channel