Të enjten kryeministri Albin Kurti zhvilloi agjendën e tij të paralajmëruar.

Në orën 10, takoi përfaqësuesit e bizneseve të cilët i njoftoi për pakon e re për ndihmë financiare, që si qëllim tha se ka rritjen e prodhimit vendor.

Njësoj tha se do të vazhdojë edhe në pjesën tjetër të ditës, pavarësisht se një ditë më parë shtëpia e tij u sigurua nga forca të shumta të sigurisë.

Derisa tha se nuk ndjehet i rrezikuar, Kurti tregoi se kërcënimi është bërë në rrjete sociale.

“Së pari unë nuk ndjehem i rrezikuar, mirëpo janë organet e sigurisë ato të cilat i vlerësojnë kërcënimet dhe i ndërmarrin veprimet në përputhje me rrethanat e caktuara. Përndryshe unë as dje as sot nuk e kam ndryshuar agjendën time”.

Madje, mohoi të ketë pasur informacione.

“Organet e sigurisë janë mekanizma të shtetit që i bëjnë vlerësimet kur ngjajnë kërcënime ne rrjete sociale të cilat unë nuk kam mundësi që t’i ndjek. Fizikisht për mua është e pamundshme të merrem me kërcënimet ndaj fizikut tim”, u shpreh Kurti.

Policia e Kosovës ka njoftuar se bazuar në hetimet e deritanishme dhe vlerësimin e rrezikut, njësia e reagimit të shpejtë është larguar nga shtëpia e Kurtit.

Por, përveç shtimit të forcave të mbrojtjes së afërt dhe dy zyrtarëve policorë në shtëpinë e tij, kanë mohuar të ketë pasur angazhim të njësisë speciale.

Kërcënimi ishte bërë në një faqe shitblerjesh nga një person, i cili kishte thënë se do t’i jepte mijëra euro për atë person që do ta vriste kryeministrin.

Top Channel