Partia Demokratike ka depozituar kërkesën për ngritjen e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Në njoftimin zyrtar, PD përmend shkeljet që pretendon se janë kryer në zgjedhjet e 25 prillit duke thënë se janë pasqyruar në mënyrë të detajuar edhe në raportin përfundimtar të Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, publikuar më 26.07.2021.
“Partia Demokratike ka kontestuar publikisht procesin zgjedhor të zhvilluar më 25 Prill 2021, duke e cilësuar si masakrën më të rëndë zgjedhore në historinë e zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri. Pjesë e këtij kontestimi, përvec deklaratave publike, kanë qenë edhe ankimet në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, paditë në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor dhe kallëzimet penal në Prokurorinë e Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm”, thuhet në kërkesë.
Shkeljet që PD thotë se minuan procesin demokratik të zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit
1-Shitblerja masive e votës, e realizuar nga bashkëpunimi i kandidatëve të mazhorancës me elementë të krimit të organizuar;
2-Shkrirja e shtetit dhe Partisë në pushtet në një të vetëm;
3-Vjedhja dhe përdorimi i paligjshëm i të dhënave personale dhe sensitive;
4-Ndalimi antikushtetues i të drejtës së emigrantë për të marrë pjesë në zgjedhjeve, vecanërisht atyre që jetojnë në Republikën e Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut; dhe
5-Ndryshimet e njëanshme në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor, që sollën heqjen e koalicioneve dhe një format flete votimi, që prodhoi 83 mijë fletë votimi të pavlefshme.
PD shton se duhet të ngrihet Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore duke thënë se: “Këto problematika dhe rekomandimet përkatëse, por edhe të tjera të adresuara në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR meritojnë një trajtim të veçantë nga Kuvendi, në mënyrë që të adresohen nëpërmjet nismave ligjore. Në funksion të këtij qëllimi, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka aktivizuar edhe një mekanizëm tjetër parlamentar, që ka të bëjë me ngritjen e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit 2021, një prej detyrave kryesore të të cilit është edhe vlerësimi i nevojë për miratimin, korrigjimin apo ndryshimin e akteve ligjore. Puna e këtyre dy komisioneve duhet parë si komplementare, me qëllim garantimin për qytetarët të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.”
Top Channel