Në 2022, më shumë para nga tatimet/ Parashikohet rritja me 3.1 për qind, ose 131 milionë euro

27/10/2021 15:07

Qeveria pritet të sjellë së shpejti një paketë të re fiskale me ndryshime në taksa e tatime, një strategji afatmesme 3-vjeçare që pritet të zbatohet përgjatë viteve 2022-2025.

Dokumenti nuk është bërë ende publik, pasi pranë Kuvendit është depozituar vetëm projektbuxheti 2022, por sipas relacionit të tij pritet të rishikohen disa përjashtime tatimore konkretisht në TVSH, tatimin mbi të ardhurat personale, akciza si dhe norma të tjera tatimore.

Përmes zbatimit të saj, qeveria synon një rritje të të ardhurave tatimore në masën 3.1% të arkëtimeve të parashikuara për t’u mbledhur përgjatë vitit 2022, pra me gati 16 miliardë lekë apo rreth 131 milionë euro.

Të ardhurat totale që qeveria pret të grumbullojë në vitin e ardhshëm 537 miliardë lekë, apo rreth 4.4 miliardë euro.
Për këtë strategji të nisur që prej 2019-ës, Financat kanë bashkëpunuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar që ka artikuluar vazhdimisht heqjen dorë nga ndryshimet e shpeshta ne taksa dhe shmangien e përjashtimeve tatimore pasi krijojnë boshllëqe në buxhet, për të cilën edhe vetë qeveria e ka pranuar se nuk kanë dhënë efektet e pritshme në të ardhura.
Edhe në raportin e fundit institucioni ndërkombëtar bëri apel për një sistem të thjeshtë tatimor, zgjerim të bazës tatimore dhe eleminim të përjashtimeve duke theksuar si domosdoshmëri edhe krijimin e një njësie të dedikuar pranë Ministrisë së Financave për politikat tatimore me personel të dedikuar.

Shqipëria zbaton aktualisht një sistem të ndërlikuar tatimor , me shumë shkallë progresiviteti mbi të ardhurat personale, që duket se ka ushqyer më tej informalitetin pasi individët priren të fshehin të ardhurat për t’iu shmangur tatimeve të larta.

Pabarazia u thellua më tej prej 1 janarit 2021, ku qeveria zeroi tatim fitimin për bizneset e vogla dhe rriti pragun e TVSH-së për to e për profesionet e lira, ndërsa të punësuarit nga ana tjetër paguajnë më shumë për pagat , e të dypunësuarit po ashtu, edhe përmes plotësimit të deklaratës vjetore të të ardhurave.

Top Channel