Rritja e çmimeve/ Kurti paketë ndihme për qytetarët: Kush na fajëson ka hall tjetër

26/10/2021 15:40

Teksa u përpoq të tregonte se nuk mund të fajësohet qeveria e tij për rritjen e çmimeve në treg, pasi kjo sipas tij ka ndodhur për shkak të disa faktorëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se po punohet për një paketë masash e cila t`i vijë në ndihmë qytetarëve.

Në një postim në Facebook, Kurti përmendi shkëputjen e zinxhirit të furnizimeve për shkak të pandemisë dhe rritjen globale të çmimit të energjisë si disa nga arsyet e inflacionit.

Shkalla e inflacionit, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në fund të muajit shtator ishte 4.9%.

Ditët e fundit jemi bërë dëshmitarë të një fushate, e cila trumbeton çdo ditë rritjen e çmimeve dhe përpiqet të fajësojë për këtë qeverinë”, ka shkruar ai.

Por ata që na fajësojnë ne, nuk e kanë pasur ndonjëherë hallin tek çmimet dhe as tek hallet e qytetarëve përndryshe do të reagonin me kohë, që atëherë kur zaptohej toka bujqësore ndërsa subvencionet nuk u shkonin bujqve, por përfundonin në xhepat e miqve të tyre”, vazhdon kryeministri.

Sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, rritja e çmimeve ka filluar nga muaji prill me 1. 2 për qind, duke arritur në 4.9 për qind në muajin shtator. Lëvizje më të mëdha të çmimeve kanë pasur: buka, vaji, sheqeri, mielli dhe frutat e perimet.

Top Channel