Mblidhet përbërja e re parlamentare në Gjermani

26/10/2021 16:16

Anëtarët e legjislaturës së re parlamentare në Gjermani, janë mbledhur të martën për herë të parë.

Të 736 anëtarët e Bundestagut kanë zgjedhur Baerbel Bas si kryetare të re të Parlamentit.

Bas është pjesë e Social-Demokratëve, parti, e cila në zgjedhjet e muajit të kaluar, ka dalë e para në zgjedhje.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka marrë pjesë në takim ndonëse nuk ka më mandatin e deputetes.

Ajo është ulur në zonën e vizitorëve në Parlament.

Më vonë, presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, do ta shpërbëjë zyrtarisht kabinetin e Merkelit, ndonëse ministrave do t’iu kërkohet të jenë ushtrues detyre derisa të formohet qeveria e re.

“Qytetarët janë duke na shikuar dhe pritshmëritë e tyre për Parlamentin janë shumë të larta”, ka thënë Wolfgang Schaeuble, ish-kryetar i këtij institucioni.

“Neve na duhet të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i përmbushur pritshmëritë”.

Schaeuble, 79-vjeçar, veteran konservator dhe ish-ministër i Financave dhe Punëve të Brendshme, ka shërbyer më së gjati si deputet.

Ai ka qenë në këtë pozitë nga viti 1972.

Tri partitë që shpresojnë të formojnë Qeverinë e re të Gjermanisë, Social-Demokratët, Partia e Gjelbër dhe Demokratët e Lirë, kanë thënë se shpresojnë të kenë kancelarin e ri të shtetit në fillim të dhjetorit, mirëpo e kanë pranuar se përballen me detyrë komplekse.

Nëse negociatat mes tyre rezultojnë të suksesshme, Qeveria e re do ta çojë bllokun e Merkelit në opozitë, pas 16 vjetësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA