“Kam pirë ujë shumë të keq”/ Me dhimbje barku dhe marrje mendsh, Pediatria në spitalin e Krujës mbushet plot me fëmijë

26/10/2021 10:29

Pediatria në spitalin e Krujës është mbushur plot me fëmijë që kanë nevojë për trajtim mjekësor. Ata kanë shfaqur simptoma si dhimbje barku, dhimbje koke e të vjella që dyshohet të jetë shkaktuar nga uji.

“Jam sëmurë dhe kam pirë ujë shumë të keq. Më dhimbte shumë barku dhe më merreshin mendtë. Piva ujë shumë të keq”, tha një vajzë.

Nga e diela deri tani, në spitalin e Krujës janë paraqitur mbi 300 persona me të njëjtat simptoma. Situata e helmimit të banorëve të Krujës ka vënë në lëvizje autoritetet vendore, si dhe policinë e prokurorinë e Krujës për të kuptuar shkaqet e kësaj situate të rënduar shëndetësore në popullatën e Krujës.

Personat me simptoma janë nga zona të ndryshme të Krujës, ndaj dyshimet janë përqendruar te cilësia e ujit të pijshëm që rrjedh në rubineta.

Për këtë arsye është ndërprerë furnizimi me ujë nga rrjeti i ujësjellësit në  Krujë. Vendimi është marrë nga njësia vendore e Kujdesit Shëndetësor në pritje të përgjigjes së analizave për ngarkesën mikrobike/bakterologjike të ujit.

Mbi 80 përqind e popullatës në Krujë konsumon ujin e çezmës në përditshmërinë e tyre.

Drejtues të ujësjellësit të Krujës shprehen se janë në pritje të analizave të ujit për të vërtetuar dyshimet që kanë rënë mbi ujin si burim infeksioni për banorët dhe ndërmarrë veprime të mëtejshme.

 

Top Channel