Një ish-ligjvënës afgan, njëkohësisht lider politik që i përket komunitetit Hazara deklaroi se trupat e tetë fëmijëve jetimë, që vdiqën nga uria, u gjetën në pjesën perëndimore të Kabulit.
Në një deklaratë të postuar në Facebook, Mohammad Mohaqiq tha se fëmijët ndërruan jetë gati tre javë më parë në një lagje të kryeqytetit afgan. Sipas Mohaqiq, të miturit ishin varrosur nga një mullah lokal dhe banorët e lagjes, ku u gjetën trupat e tyre.
Lajmin e konfirmoi edhe mullahu i zonës, Mohammad Ali Bamian i cili tha se më i madhi i fëmijëve ishte tetë vjeç dhe më i vogli ishte një vjeç e gjysmë.
“Ata nuk kishin askënd. Prindërit u kanë vdekur dhe nuk kishin të afërm”, tha Bamiani.
Qeveria e udhëhequr nga talibanët ende nuk ka komentuar lidhur me këto vdekje. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se Afganistani do të përballet me një krizë të madhe humanitare, përfshirë edhe urinë ekstreme, nëse ndihmat humanitare nuk dërgohen shpejt.
Agjencitë e ndihmës llogarisin që me afrimin e ndihmës, gati 18 milionë afganë do të kenë dëshpërimisht nevojë për ushqime dhe për strehim.
Top Channel