Ministrja e Shtetit dhe Marrëdhënieve me Parlamentin, Elisa Spiropali ka hedhur akuza të rënda ndaj kryedemokratit Lulzim Basha duke thënë se i ka shpëtuar drejtësisë.
Ajo theksoi se funksionarët e lartë nuk do t’i shpëtojnë reformës në drejtësi, mes tyre edhe Lulzim Basha.
Spiropali kundërshtoi Bashën duke thënë se Shqipëria po përparon, jo siç thotë ai, i vetmi lider opozite i cili nuk do që vendi të futet në BE.
“Nuk e di ku e keni gjetur këtë foto. Nuk shikoni traun përballë syve tuaj. Kemi raportin që e thotë shqip që Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet. Edhe atdheu juaj i dytë Holanda ka votuar pro konferencës së parë ndërqeveritare. I ka thënë po, kundër çfarë thatë ju që Shqipëria nuk është gati. Që nga viti 2013 e deri më sot Shqipëria ka vijuar të përmbushë të gjitha kushtet edhe për Konferencën e Parë Ndërqeveritare duke filluar nga reforma në drejtësi. Juve i keni shpëtuar kësaj drejtësie me procedurë pa u hetuar. Mirë është të shkoni të jepni llogari pa procedurë pastaj të vini të flisni për korrupsionin. Funksionarë të lartë të mos i shpëtojnë. Lideri i opozitës sado të jetë në hall për arsye të tij të dalë dhe të thotë që Shqipëria nuk meriton të jetë në BE, këtë nuk e bën askush as në Zambia as në Gana”, tha ajo.
Top Channel