Partia Demokratike e Shqipërisë të martën pritet të depozitojë në Kuvend ligjin për uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar të mallrave të shportës ushqimore nga 20% deri në 6%.

Burime për Top Channel nga mbledhja e Grupit Parlamentar të PD-së, thanë se demokratët e konsiderojnë një ligj të tillë jo thjesht një propozim politik, por një hap të domosdoshëm për të ndihmuar njerëzit, të cilët sot janë në nevojë ekstreme.

Depozitimin e këtij ligji në Kuvend, e pati paralajmëruar më herët Lulzim Basha, kreu i kësaj force politike, i cili theksoi se varfëria ka prekur 97 për qind të shqiptarëve dhe për këtë arsye, PD do të depozitojë në kohën më të shkurtër të mundshme propozimin për të vendosur uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar, mbi mallrat e shportës ushqimore nga 20, në 6%”.

Dhe nuk e kam fjalën thjesht për shportën ushqimore në kuptimin e ngushtë të fjalës, por për të gjithë ato mallra të cilat afektojnë jetën e përditshme të qytetarëve. Ky nuk është thjesht një propozim politik, ky është një hap i domosdoshëm për të ndihmuar njerëzit të cilët sot janë në nevojë ekstreme”, tha Basha.

Ai theksoi se “shqiptarët duhet ta kuptojnë se forcën që na kanë dhënë me 25 prill, pavarësisht prej masakrës zgjedhore ne do t’i kërkojmë uljen e TVSH duke provuar qartë se ky shtet pavarësisht se i rrënuar, i grabitur, i zhvatur prapëseprapë e ka mundësinë qe duke ia u hequr paratë, favoret, një grushti njerëzish për të cilët punon kjo qeveri t’i shërbejë këtyre 97% të shqiptarëve pikërisht pra duke ulur TVSH si një hap të parë dhe të menjëhershëm për këtë krizë te thellë ekonomike dhe për thellimin e kësaj krize përmes rritjes së çmimeve te ushqimeve bazë dhe shërbimeve bazë”.

Partia Socialiste gjatë kohës kur ishte në opozitë në vitin 2011, mbështeste fort uljen e TVSH-së për çmimet e shportës, madje duke shkuar dhe në nivel 0% për kategori të veçanta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA