Seanca gjyqësore për Enkeleda Hoxhën dhe 9 të pandehurit të akuzuar për korrupsion në Gjykatën e Krujës është shtyrë, pas mungesës në seancë të të pandehurës Manuela Mallkuci.
Sipas informacioneve, seanca e ardhshme pritet të mbahet në datën 2 nëntor ora 15:00.
Më 11 tetor, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e ish-gjyqtares së Krujës dhe 9 të pandehurve të akuzuar për korrupsion, duke vendosur gjykim të shkurtuar për ta.
Ish-gjyqtarja e Krujës, Enkeleida Hoxha ndodhet në burg bashkë me 9 të tjerë, pasi akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
Më 11 shkurt të këtij viti, ish- gjyqtarja e Gjykatës së Krujës, Enkelejda Hoxha është arrestuar bashkë me punonjës të tjerë, mes tyre avokati Aldo Tabakun, sekretarja Manuela Mallkuçin, Gazmir Nezajn, Isuf Tanuzin, Bledar Petanin, Sajmir Petanin dhe Altin Skëndaj, Trëndafile Frangu dhe Migena Skënderi, pasi kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale kundrejt parave.
Gjyqtarja, Enkelejda Hoxha njihet për vendimet e saj ku shumë të dënuar janë liruar nga burgu, mes tyre edhe të dënuar përjetë, si Endrit Dokle, Genc Tafilit, apo Hekuran Billa, i vrarë në Tiranë.
Gjyqtarja e Krujës, e cila ende pa dal në Vetting, liroi nga burgu Indrit Doklen, i dënuar me burgim të përjetshëm, si anëtar i bandës së Durrësit, i akuzuar për disa vrasje, plagosje dhe krime të tjera.
Në të njëjtën mënyrë që gjyqtarja Hoxha, përdori për lirimin e Dokles, në nëntor të 2017-ës, ajo liroi Genc Tafilin, i përfshirë në vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit. Tafili kishte kryer 17 vite burg, nga 25 që ishte dënuar.
Një tjetër lirim që mban firmën e gjyqtares Hoxha, është edhe ai i Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim. Paja njihet për disa nga arratisjet e tij në burgjet e Italisë dhe Gjermanisë. Paja u lirua disa ditë pas Tafilit.
Enkeleda Hoxha,në vitin 2018, po ashtu vendosi lirimin nga burgu të Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja. Ai u dënua me 1 vit burg, për dhunë të ushtruar ndaj Xhisiela Malokut, por gjyqtarja vendosi konvertimin e dënimit në shërbim prove.
Top Channel ka mësuar më parë të dhëna të dosjes së përgatitur nga SPAK kundër gjykatëses Enlekeida Hoxha.
Të gjithë personat e arrestuar janë ndjekur dhe përgjuar. Sekseri i kësaj çështje është avokati Aldo tabaku i cili ndërmjetësonte mes të afërmve të Gentjan Nezajt në burg dhe gjykatëses për t’i dhënë një vendim lehtësues.
Avokati bisedonte me të Gazmir Nezajn, të vëllanë e të burgosurit. Në përgjime ka dalë edhe sekretarja e gjykatës Manuela Mallkuci e cila ka qenë një pjesë e rëndësishme e skemës. SPAK ka ndjekur dhe ka foto dhe video se si Gazmir Nezaj ka bërë takime me shtetasin Aldio Tabaku, avokati që morri përsipër çështjen e lirimit nga burgu para kohe me kusht të vëllait të cilët kishin pirë kafe në një lokal në Krujë afër një banke.
SPAK ka vendosur në përgjim dy numra telefonikë, i pari ai i Isuf Tanuzit si ndërmjetës mes avokatit Aldo Tabaku dhe Gazmiti si dhe numrin e avokatit Aldo Tabaku, i cili po merrej me të gjithë situatën e ndjekjes së kërkesës për lirimin nga burgu me kusht para kohe të shtetasit Gentaj Nezaj, vëllait të Gazmirit.
Dyshohet se Aldo ndërmjetësonte me lidhjen e tij shoqërore, gjyqtaren Enkeleda Hoxha e cila ka ndjekur rastin për shqyrtimin e kërkesës së vëllait të Gazmirit, për lirim para kohe nga burgu. Edhe një mjek pjesë e skemës.
Gazmir Nezaj ka kontaktuar në telefon edhe një mjek i cili është identifikuar si Shkëlqim Korbi. Ai do të përgatiste një raport pozitiv për Gentaj Nezaj, me qëllim që ai të kishte lehtësia, gjatë zhvillimit të gjyqit dhe më pas, lirimin e parakohshëm nga burgu të tij.
Shkëlqim Korbi është vënë menjëherë në përgjim, për të kuptuar rolin dhe veprimet e tij në këtë çështje.
Nga Bisedat midis shtetasve Gazmir Nezaj dhe Isuf Tanuzi, si dhe bisedat midis Gentjan Nezaj dhe Gazmir Nezaj, del në pah përpjekja që është bërë nga avokati Aldo Tabaku, nëpërmjet gjyqtares Enkeleida Hoxha, për të bërë të mundur lirimin para kohe me kusht të të burgosurit Gentaj Nezaj.
Një pjesë e përgjimeve:
Sekretarja: Të prita sot unë ty
Gazi: Po erdha unë aty, po ishte një burrë tjetër. A të tregoj ai?
Sekretarja: Jo! S’më tha.
Gazi: erdha unë atu. Bile ishte….një burrë me Mercedez, me një foristradë, e kishte te dera aty. Edhe e pyeta edhe atë. Edhe më tja ka dalur se kishte pak punë. Edhe ishte një burrë tjetër aty. Edhe nesër do të vij pak, se u vonova pak unë, se kishte trafik për të dalë nga Tirana.
Sekretarja: Po pra po.
Gazi: erdha edhe aty, edhe shkova piva kafe tek një cupë aty afër.
Sekretarja: Shumë mirë
Gazi: Po nesër ndoshta vij prapë, po në cfarë ore të vij?
Sekretarja: Sikur të vish pak në mëngjes
Në datën 16 qershor 2020 në orën 14.40 Isuf Tonuzi komunikon me Aldo Tabakun dhe është përgjuar kjo bisedë.
Isuf Tonuzi : O Aldo! Si të kam Mor?
Aldo Tabakun : Hic mo! Mirë, mirë ca bëre ti?
Isuf Tonuzi : Isuf Tonuzi Jam
Aldo Tabakun : E di more, e di se e kam regjistru. Mirë nga shtëpia? Vet?
Isuf Tonuzi : Ca bëhen ndonjë gjë për atë mikun tim?
Aldo Tabakun : Tashti i fillon gjyqi. Pa merak thuaji.
Më pas Isuf topuzi bisedon më Gazmir Nezaj, ku i thotë
Isuf Tonuzi : Fola me Aldon unë
Gazmir Nezaj : Po
Isuf Tonuzi : Javën tjetër e ka gjyqin
Gazmir Nezaj : Ëeee
Isuf Tonuzi : Edhe për cdo gjë tha, ca letre të duhet do të të njoftoj vetë më tha. Ri pa merak me këtë punë. Aman i thashë mos ma len pas dore
Gazmir Nezaj : Eeee
Isuf Tonuzi : Erdha në Krujë apostafat.
Top Channel