Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç

Mundësinë e një plani për të ekzekutuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç e ka konfirmuar kryeministrja e vendit Ana Brnabiç, sipas të cilës, goditja e kreut të shtetit ishte planifikuar të ndodhte gjatë zbulimit të monumentit të Stefan Nemanjës, që u realizua më 27 janar të këtij viti në Beograd.  

“Vrasja është planifikuar prej kohësh dhe në detaje. Janë formuar struktura paralele në Ministrinë e Brendshme dhe janë bërë fushata në mediat e manjatëve, që janë transmetuar edhe në mediat në rajon për dehumanizimin e Vuçiçit, që ta shndërronin atë dhe familjen e tij në një grup kriminal”, tha Brnabiç për televizionin Pink.

Sipas saj, me këtë çështje po merren shërbimet kompetente dhe përgjegjësit nuk do të mund t’i shpëtojnë dejtësisë, e për këtë nuk do të merren parasysh as emri, mbiemri, funksioni apo përkatësia partiake”.

Kryeministrja serbe deklaroi se akuzat për përgjimet e Vuçiçit në aferën “Jovanjica” janë “tentativë për grusht-shteti”.

Dyshohet se ai është përgjuar nga shërbimet vendase, mbi të cilat ka kompetencë Ministria e Brendshme, e drejtuar në vitet 2014-2020 nga Nebojsha Stefanoviç, që aktualisht mban detyrën e ministrit të Mbrojtjes.

Stefanoviç deklaron se nuk ka marrë pjesë “në ndonjë aktivitet që do ta rrezikonte Vuçiç apo anëtarët e familjes së tij”.

Edhe ish-sekretarja e  Ministrisë së Brendshme, Diana Hërkaloviç, e arrestuar së fundi, është përmendur për lidhje me aferën e përgjimit të Presidentit.

Top Channel