Gjykata shpalli të paligjshëm arrestimin e dy doganierëve të Durrësit, ndërsa urdhëroi lirimin e menjëhershëm të 4 personave, mes të cilëve dhe 2 doganierët.
Ata u arrestuan në kuadër të operacionit “Porosia”, pas një informacioni se një furgon po tregtonte medikamente të futura kontrabandë në Durrës. Në seancën për vleftësimin dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarve për kontrabandë medikamentesh dhe mallrash të tjera, si dhe shpërdorim detyre, gjykata vlerësoi si të ligjshëm vetëm arrestimin në flagrancë të 35-vjeçarit, Granit Kërxhaliu, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”.
Ai u arrestua javën e kaluar në plazhin e Durrësit pasi në furgonin që drejtonte iu gjetën një sasi medikamentesh, testesh të shpejta antigen dhe kamerash sigurie, të cilat po i tregtonte pa pasur dokumentacion përkatës.
Bashkë me 35-vjeçarin u arrestuan dhe pronari i furgonit, si dhe dy doganierë të Durrësit, të cilët u akuzuan për shpërdorim detyre, pasi nuk kishin kryer kontroll të imët në furgonin, që kishte kaluar me mallra të padeklaruara në doganë. Në kushtet e mungesës së kapjes në flagrancë, gjykata e Durrësit rrëzoi kërkesën e prokurorisë për vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë për pronarin e furgonit, Behar Lleshi dhe dy doganierët, Enkel Shehi dhe Artan Topuzi, duke e cilësuar si arrest të paligjshëm.
Gjithsesi për të katërt personat nën hetim gjyqtari i seancës vendosi detyrim paraqitjeje një herë në muaj pranë policisë gjyqësore, deri në përfundim të procedimit penal ndaj tyre. Nuk dihet ende nëse organi i akuzës durrsake do e ankimojë këtë vendim të gjykatës.
Top Channel