Policia e Fierit ka finalizuar me sukses një tjetër operacion të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 60 kg kanabis dhe janë vënë nën pranga 7 persona, si dhe është proceduar penalisht kryeplaku i fshatit Hamil.
Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Hamil, në stallën në pronësi të shtetasit Altin Hebeja, janë gjetur dhe sekuestruar 60.4 kg lëndë bimore cannabis sativa si edhe në tokën e tij të mbjellë me misër u gjetën të kultivuara bimë cannabis sativa.
Hebeja akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”. Po ashtu, u arrestuan për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim shtetasit Z. K., 36 vjeç, A. K., 24 vjeçe, F. K., 38 vjeçe, H. K., 60 vjeçe dhe F. K., 34 vjeçe, banues në fshatin Baltëz, të cilët u gjetën në stallën e shtetasit A. H., duke kryer procesin e tharjes së bimëve narkotike.
Gjithashtu u procedua penalisht për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, kryeplaku i fshatit Hamil, shtetasi Sinan Hebeja ,56 vjeç.
Gjatë kontrollit të territorit, po në këtë fshat, në tokën e mbjellë me misër të shtetasit Erjon Hebeja , 39 vjeç, u gjetën të kultivuara bimë narkotike cannabis sativa, ndërsa ky i fundit akuzohet për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Fier për veprime të mëtejshme.
Top Channel