Biden vonon publikimin e dosjes mbi vrasjen e Kenedit, çfarë po mbulohet

25/10/2021 13:11

Shtëpia e Bardhë njoftoi se do të vononte publikimin e dokumenteve të klasifikuara prej shumë kohësh tashmë, që lidhen me vrasjen e Presidentit amerikan John F. Kennedy.

Përmes një deklarate, presidenti Joe Biden sqaroi se dosjet e mbetura nuk do të bëhen publike deri 15 dhjetorin e vitit të ardhshem, apo gati 60 vjet pas vrasjes së Kenedit në Dallas të Teksasit, në 1963.

Në vitin 2018, ish-presidenti Donald Trump i hapi një pjesë të dosjeve të lidhura me atentatin, por disa të tjera u mbajtën të mbyllura për arsye të sigurisë kombëtare.

Shtëpia e Bardhë njoftoi tani se punonjësve të Arkivës Kombëtare u duhet më shumë kohë për redaktimin e tyre që u ngadalësua sipas saj nga pandemia.

Biden shtoi po kështu se vonesa ishte “e nevojshme për të mbrojtur kundër një dëmi të identifikueshëm të mbrojtjes ushtarake, operacioneve të inteligjencës, zbatimit të ligjit ose ndikimit të marrëdhënieve me jashtë” dhe se të gjitha këto kanë më shumë peshë në këtë moment sesa interesi publik për këto dosje.

Vrasja e presidentit 46-vjeçar ishte një “tragjedi e thellë kombëtare” që “vazhdon të rezonojë në historinë amerikane dhe në kujtimet e kaq shumë amerikanëve të cilët ishin gjallë në atë ditë të tmerrshme”, thuhet në deklaratë.

Një hetim 10-mujor i udhëhequr nga kryetari i atëhershëm i Gjykatës së Lartë Earl Warren doli në përfundimin se Lee Harvey Oswald, një ish-marins që kishte jetuar në Bashkimin Sovjetik, veproi i vetëm kur qëlloi mbi autokolonën e Kenedit. Por hetimi u kritikua se ishte i paplotë dhe një komitet i Kongresit më vonë, doli në përfundimin se Kennedy; “ndoshta u vra si rezultat i një komploti”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA