Kina nuk ka vend për kompromis dhe për lëshime, aty flitet për interesat e saj.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin përcolli një mesazh të prerë, pas deklaratës së presidentit amerikan Joe Biden, i cili tha se në rast sulmi, Shtetet e Bashkuara do të ndërhyjnë ushtarakisht për mbrojtjen e ishullit që kërkon të ruajë pavarësinë e tij, por që Kina e sheh si territor të sajin.
“Kujdes, mos i dërgoni sinjale të gabuara përkrahëse të pavarësisë së Tajvanit”, tha Wenbin.
“Tek gjërat tona, nuk falim. Aty nuk ka vend për kompromis”, shtoi ai.
Presidenti amerikan deklaroi më herët për CNN se janë zotuar ta mbrojnë Tajvanin, nëse sulmohet prej Kinës.
Deklarata e tij ishtë në kundërshtim me politikën afatgjatë të SHBA-së për ta ndihmuar ishullin në ndërtimin e mbrojtjes së tij, por jo për ta ndihmuar atë ushtarakisht në një konflikt të mundshëm. Ajo vjen po ashtu më pak se dy muaj pas tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani. SHBA-ja ka qenë 20 vjet e angazhuar ushtarakisht në këtë vend.
Biden iu përgjigj pyetjes nëse Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të vazhdojnë të përballojnë zhvillimin e shpejtë ushtarak të Kinës.
“Mos u shqetësoni nëse ata do të jenë më të fuqishëm. Kina, Rusia dhe pjesa tjetër e botës e dinë që ne kemi ushtrinë më të fuqishme në historinë e botës”, tha ai.
Top Channel