Stuhia “Aurora” është përplasur me të gjithë fuqinë e saj mbi pjesë të tëra të Evropës, duke shkaktuar katër të vdekur në Poloni e dëme të konsiderueshme në Gjermani, Francë, Holandë e gjetkë.
Të katër viktimat e Polonisë humbën jetën në rajonin Silesia. Një person vdiq kur mjeti i tij doli nga rruga, ndërsa një tjetër nga rrëzimi i një muri.
Dy vetë gjetën vdekjen prej pemëve të rrëzuara mbi makinat e tyre. Gati 250 mijë shtëpi në Francë kanë mbetur pa energji elektrike.
Erëra me shpejtësi gati 200 km/h ishin regjistruar më herët në Normandi. Përmbytje të befasishme goditën gjithashtu rajonin e Bretanjës, duke shkatërruar disa shtëpi. Stuhia e parë e dhunshme e vjeshtës shkaktoi dëme të mëdha edhe në disa lande gjermane, e paralizoi atje transportin hekurudhor.
Në portin e Kiel-it, një tornado la pas një vazhdë shkatërrimesh në rrugën e saj prej gati 100 metrash sipas zyrtarëve lokalë. Episode të ngjashme pati dhe në Holandë, ku forca e erës shkuli catitë e shtëpive dhe pemët nga rrënjët në qytetin Barendrecht, duke plagosur të paktën katër banorë sipas mediave vendase.
Top Channel