Pas shpalljes së dy diplomatëve rusë në Kosovë “non grata” nga ana e presidentes Vjosa Osmani, ambasada ruse në Beograd reagoi ashpër duke minimizuar rëndësinë e një lëvizjeje të tillë.
“Ne nuk e njohim ‘pavarësinë’ e Kosovës dhe në përputhje me rrethanat, ‘qeverinë’ rajonale dhe strukturat e tjera, për ne asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore”, thuhet në deklaratën e saj.
Urdhri për largimin e diplomatëve rusë u shoqërua me akuzat e drejtuara Moskës për aktivitete “destabilizuese”. Osmani i ka kërkuar zëvendëskryeministres dhe ministres së jashtme Donika Gërvalla, t‘i shpallë ata persona të padëshiruar për shkak të “aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cënuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të vendit”.
Presidentja tha se institucionet e Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit dashakeq të Rusisë dhe “satelitëve të saj në rajon”, të cilët, sipas Osmanit synojnë përmbysjen e arritjeve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara, NATO-s, dhe Bashkimit Europian.
Nuk është bërë sakaq ende e ditur se cilat kanë qenë aktivitetet e këtyre dy zyrtarëve që kanë nxitur autoritetet e Kosovës t’i shpallin të padëshiruar.
Top Channel