A do ta përmirësonin ekonominë e Iranit heqja e sanksioneve dhe negociatat me Teheranin?

23/10/2021 18:39

Ditët e fundit, fuqitë perëndimore i kanë bërë thirrje Teheranit për të rifilluar bisedimet në Vjenë për rikthimin në fuqi të paktit bërthamor të 2015-ës. Ata që janë pro dialogut me regjimin terrorist iranian pretendojnë se rikthimi i paktit bërthamor do të kishte një efekt pozitiv në ekonominë e rënë të Iranit. Por a është e vërtetë kjo?

Ekonomia e Iranit vuan nga korrupsioni i institucionalizuar i regjimit. Sanksionet kanë efekte dytësore mbi situatën ekonomike në përkeqësim e sipër të Iranit. Por le të supozojmë se sanksionet janë e vetmja arsye e dështimit të ekonomisë iraniane. Sanksionet janë vënë për shkak të përpjekjeve të regjimit për të zotëruar bomba bërthamore, mbështetjes së tij për terrorizmin, dhe dhunimeve të vazhdueshme të të drejtave njerëzore.

“Ndonëse Irani dhe Kina kanë një marrëveshje 25-vjeçare bashkëpunimi dhe disa parashikime kishin sugjeruar një rritje të shitjeve të naftës iraniane në Kinë, të dhënat nga Dhoma e Tregtisë e Teheranit tregojnë se, gjatë tetë muajve të parë të vitit 2021, shitjet e naftës iraniane drejt Kinës kanë zbritur me mbi 11 bilion dollarë, krahasuar me tre vite më parë. Në të njëjtën kohë, shitjet e naftës së Arabisë Saudite drejt Kinës janë rritur në mënyrë të konsiderueshme,” ka raportuar më 21 tetor faqja shtetërore Tejarat News.

“Omani, Iraku, Kuvaiti, dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë katër shtetet e tjera të cilave u janë rritur shitjet e naftës drejt Kinës gjatë kësaj periudhe, për të kompensuar rënien e furnizimit të Kinës me naftë nga Irani,” shton kjo faqe.

Sipas apologjetëve të Teheranit, problemi i vetëm i ekonomisë iraniane janë sanksionet, të cilat mund t’i hiqen menjëherë Teheranit nëse ai i ndalon të gjitha veprimtaritë malinje.

“Shumica e sanksioneve janë vënë për shkak të ideologjisë sonë, dhe sigurisht, t’i qëndrosh besnik ideologjisë ka kosto. Por debati nuk është se pse dhe si janë vënë sanksionet. Pyetja është, pse refuzojmë të ndërmarrim rrugë të parrezikshme kundër sanksioneve dhe i shkaktojmë vendit kaq shumë kosto ekonomike?” shkruante më 4 tetor shtetërorja Eghtesad-e Pouya.

Për ta kuptuar më mirë, le të shohim Instrumentin në Mbështetje të Shkëmbimeve Tregtare (INSTEX), një mjet me qëllim të veçantë (SPV) i Europës i themeluar më 31 janar 2019. Për ta ndihmuar Teheranin t’i shmanget sanksioneve amerikane, të rivendosura në 2018-ën pas tërheqjes së administratës Trump nga JCPOA, Bashkimi Europian themeloi INSTEX, një mekanizëm financiar për të lehtësuar transaksionet jo në dollarë dhe jo SWIFT me Iranin. Teherani mund ta kishte përdorur INSTEX-in po t’i kishte ratifikuar konventat e Task Forcës për Veprim Financiar (FATF).

FATF i kishte dhënë kohë mjaftueshëm Teheranit që t’i finalizonte ligjet të cilat do ta lejonin vendin t’u bashkohej konventave kundër financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave, si ajo e Palermos dhe CFT.

Por shumë zyrtarë të regjimit e kanë përshkruar futjen në konventën e Palermos dhe në atë CFT si “vetë-sanksionim.” Ekonomia e Iranit dominohet nga Garda Revolucionare (IRGC), e cila konsiderohet organizatë terroriste. Krahas kësaj, po të miratonte konventat e FATF, Teherani nuk do të mund të financonte grupet terroriste proksi të tij, si Hezbollah dhe Houthi.

Vlen të përmendet se Teherani vazhdon t’i financojë organizatat terroriste, duke i quajtur ato “aksi i rezistencës.” Lideri Suprem i regjimit, Ali Khamenei, dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë theksuar se, po të mos kishin luftuar në Luftën e Sirisë, do t’u ishte dashur të “luftonin në Teheran.” Regjimi ka kohë që e përdor terrorizmin për ta eksportuar kaosin e brendshëm jashtë vendit.

Duhet përmendur fakti që, sipas Bankës Qendrore të Iranit, të ardhurat e Teheranit nga eksportet e naftës kanë qenë rreth 180 bilion dollarë vetëm në 2018-ën dhe 2019-ën. Por është e paqartë se ku kanë përfunduar këto fitime. Gjithsesi, është e qartë që ato nuk janë përdorur për të zgjidhur problemet e popullit, pasi në 2018-ën dhe 2019-ën shpërthyen dy protesta të mëdha iraniane, ku njerëzit kërkonin të drejtat e tyre bazë.

Reuters pati raportuar në dhjetor 2020 se mullahët kanë shpenzuar “600 milion dollarë” për të zgjeruar tempullin e shenjtë të Imamit Hussein në Irak. Ndërkohë, iranianët vuajnë për bukën e gojës.

“Ministria e Kooperativave, Punës, dhe Mirëqenies Sociale ka deklaruar në një raport se, deri në 2021-in, 26 milion njerëz në vend jetonin në varfëri absolute,” ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve ILNA më 22 tetor. Pragu i varfërisë në Iran shkon nga 10 në 15 milion toman. Ndërkohë, baza e pagave të punëtorëve dhe punonjësve iranianë është rreth katër milion toman.

Sipas të përditshmes shtetërore Arman më 21 tetor, “Jetesa në Iran është kthyer në një maratonë mbijetese. Punëtorët fitojnë më pak se 3 milion toman. A munden zyrtarët ta vënë veten në vendin e punëtorëve për një muaj? A do të mund të jetonin ata me 150,000 toman në ditë?”

Kështu, edhe po të hiqeshin sot sanksionet, situata ekonomike e Iranit nuk do të ndryshonte në të mirë të popullit. Ndërkohë që fuqitë perëndimore vazhdojnë të kërkojnë negociata, regjimi iranian vazhdon me politikën e tij mashtruese, duke fituar kohë me anë të negociatave në përpjekje për të prodhuar një bombë bërthamore.

Pakti bërthamor i Iranit me fuqitë botërore, i njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), është firmosur në 2015-ën, duke e lejuar Teheranin ta pasuronte uraniumin në më pak se 5%. Nënshkruesit e paktit pretendonin se JCPOA e kishte frenuar programin bërthamor të Iranit dhe e kishte zgjatur kohën e “shpërthimit.”

Në 2018-ën, Irani filloi t’i shkelte me shpejtësi detyrimet e tij sipas kushteve të JCPOA-së dhe mundi ta pasuronte uraniumin deri në 60%. Kështu u bë e qartë që JCPOA kishte shumë të meta që e kishin lejuar regjimin ta vazhdonte në fshehtësi programin e tij bërthamor.

Fuqitë perëndimore nuk duhet t’i bëjnë më lëshime apo t’i japin kohë Teheranit. Regjimi iranian kupton vetëm gjuhën e rreptësisë. Duhet të rivendosen të gjitha sanksionet kundër regjimit. Regjimit iranian vërtet po i mbaron koha, teksa përballet me një shoqëri të trazuar dhe një tjetër kryengritje duket në horizont.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA