Në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ashtu si në gjithë Institucionet e Arsimit të Lartë në vend, nisi raundi I tretë dhe I fundit I regjistrimeve, që zgjat deri në 26 tetor.
Zyra e karrierës në këtë universitet kryen çdo vit studime duke gjurmuar, se ku punësohen të diplomuarit e këtij institucioni, dhe rezulton se profesione si Mjek Veteriner dhe Inxhinier Pyjesh I kanë mundësitë e punësimit gati 100% në tregun e punës.
“Deri në përfundim të raundit të dytë, ne kemi të regjistruar rreth 58% të kuotave. Raundi i tretë në universitetin tonë është më tepër intensiv, për faktin se në raundin e parë, studentët janë përballë dilemave, se kë program të zgjedhin, dhe presin nëse do të dalin fitues në degët që preferojnë më shumë.
Kemi kuota të lira në programet e Shkencave Pyjore, në programet që ofron Fakulteti I Bujqësisë dhe Mjedisit dhe kuota të lira në programet që ofron
Fakulteti I Bioteknologjisë dhe Ushqimit. Unë iu bëj thirrje maturantëve t’I shfrytëzojnë këto mundësi dhe të regjistrohen në këto programe studimi, sepse ata mund ta gjejnë shumë mirë veten në tregun e punës. Marr rastin e Fakultetit të Shkencave Pyjore. Sot ka një uri të madhe në treg për Inxhinier Pyjesh.
Instutucione shtetërore dhe jo vetëm kërkojnë të punësojnë inxhinierë pyjesh dhe nuk gjejnë inxhinierë pyjesh.
Risi për këtë vit është hapja e dy programeve 2-vjeçare në fakt janë tre në total, pasi një është hapur që vitin e shkuar.
Janë programe 2-vjeçare në Hoteleri-Mikpritje, Menaxhim Rrjetesh Informacioni dhe Teknolog Bujqësor. Ne pretendojmë që në këto programe të thithim maturantë me mesatare nga 5-6.5 që sipas ligjit dhe VKM-së, atyre nuk u lejohet të aplikojnë për programet bachelor të studimit.
Një maturant duhet të vijë në universitetin Bujqësor të Tiranës, sepse kanë më tepër mundësi për t’u punësuar në profesionet e tyre, pasi mbarojnë këto programe studimi, që ne ofrojmë”, tha Ilir Kapaj, Zv.rektor, Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Top Channel