Nëse votat e partive politike ishin numëruar drejt nga komisionerët partiak, i njëjti standard nuk është aplikuar për votat preferenciale të kandidatëve.
Nga verifikimi i 235 kutive të votimit rezulton që administrata zgjedhore nuk ka qenë aq e drejtë në leximin e votës së shqiptarëve. Top Channel raporton se mbi 1 mijë vota janë tjetërsuar duke kaluar nga një kandidat tek një tjetër.
Numëruesit e Shkodrës duket se e kanë mbajtur me hatër kandidatin demokrat Zef Hila pasi i kanë dhënë 104 vota më shumë sesa meritonte. Ndërsa janë kujdesur të shtojnë votat Zef Hilës, nga ana tjetër të parit të listës Helidon Bushati i kanë hequr padrejtësisht 35 vota. Në kampin rozë flamurin e votave të pamerituara e mban Eduard Shalsi me 80 më shumë, ndërsa më i penalizuari rezulton Fatmir Xhafa, të cilit i kane hequr 55 vota, të njëjtin fat në listën e Tiranës rezulton të ketë edhe Belinda Balluku që rezulton me minus 34 vota.
Me kryetarët e partive numëruesit nuk kanë guxuar shumë. Kryesocialistit Edi Rama i janë hequr padrejtësisht 11 vota, ndërsa kryedemokratit Lulzim Basha numëruesit janë munduar t’i shtojnë 13 vota më shumë. Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka humbur gjatë numërimit 6 vota, ndërsa Jozefina Topalli 13. Sali Berisha nuk rezultoi të jetë i preferuari i demokratëve në garën për votat preferenciale, por mesa duket ai nuk ka qënë as i preferuari i komisionereve partiak, të cilët i kanë hequr 21 vota.
Komisionioni Qëndror i Zgjedhjeve para gjashtë ditësh nisi hetimin e rezultatit të 25 Prillit. Verifikimi i votave preferenciale pritet të prodhojë surpriza pasi për herë të parë në këto zgjedhje elektorati kishte të drejtë që krahas partisë të votonte edhe për kandidatin e pëlqyer. Frika se mos mbesin jashtë Parlamentit ka bërë që kandidatët të bëjnë të pamundurën për të siguruar vota, qoftë edhe padrejtësisht.
Top Channel