Rusia e bëri të qartë se hyrja e Ukrainës në Nato do të përballet me masa shpaguese.
Ishin deklaratat e sekretarit amerikan të mbrojtjes, Lloyd Austin në Kiev se Washingtoni i mbështet aspiratat e vendit për tu bërë pjesë e aleancës transatlantike dhe se asnjë vend nuk do të bllokonte me veto një lëvizje të tillë, ato që acaruan Moskën zyrtare. Në fillim, zv/ministri i jashtëm rus Andrei Rudenko paralajmëroi se ky “do të ishte një hap shumë i rrezikshëm që do ta detyronte Rusinë të reagonte, dhe pasojat kanë për të qenë shumë të rënda”. Pas tij, foli vetë shefi i Kremlinit, Vladimir Putin.
“Edhe pse anëtarësimi zyrtar i Ukrainës në NATO mund të mos ketë ndodhur ende, zhvillimet ushtarake në territorin e saj kanë nisur. Kjo gjë përbën një kërcënim për Rusinë dhe ne jemi të ndërgjegjshëm për këtë. Do të jetë shumë e rrezikshme ta detyrojnë Rusinë që të reagojë“, tha Putin.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë mbështetësi më i fuqishëm i Ukrainës që prej aneksimit të Krimesë nga Rusia në 2014-tën dhe shpërthimit po atë vit të konfliktit me separatistës pro-rusë në lindje të vendit. Putin nga ana tjetër e ka bërë të qartë se hyrja në NATO e vendit fqinj, lidhjet e të cilit me Rusinë shkojnë shumë prapa në kohë, do të përbëjë për Moskën shkeljen e një vije të kuqe.
Top Channel