Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin të enjten shprehu mbështetjen e tij për një kërkesë kyçe të talebanëve, duke u kërkuar vendeve perëndimore të shkrijnë asetet financiare të Afganistanit.
Duke folur në një takim të Klubit të Diskutimit Valdai në Soçi, Putin tha se vendet perëndimore mbajnë “përgjegjësinë kryesore” për atë që po ndodh në Afganistan.
“Përgjegjësia kryesore për atë që po ndodh bartet nga ato vende që kanë luftuar atje për 20 vjet. Dhe gjëja e parë që ata duhet të bëjnë, për mendimin tim, është të shkrijnë asetet afgane për t’i dhënë Afganistanit një mundësi për të zgjidhur problemet socio-ekonomike të një rëndësie të madhe”, tha ai.
Presidenti rus po ashtu vlerësoi talebanët për përpjekjet e tyre në luftimin e grupit terrorist DEASH në Afganistan, duke vënë në dukje se ka viktima në mesin e lëvizjes.
Ai komplimentoi rolin e Pakistanit në zgjidhjen afgane, duke thënë se është një nga lojtarët më të rëndësishëm në rajon.
Putin gjithashtu përgëzoi presidentin e SHBA-së, Joe Biden, duke thënë se vendimi i tij për të tërhequr trupat amerikane nga Afganistani ishte i drejtë.
“Ai bëri gjënë e duhur duke tërhequr trupat nga Afganistani. Ai me siguri e kuptoi, ndoshta nuk e dinte në detaje se si do të ndodhte kjo, por ai e kuptoi që në një mënyrë ose në një tjetër, brenda vendit, kjo do të ishte një nga vijat e sulmit, por ai shkoi për këtë dhe mori këtë përgjegjësi”, tha Putin, sipas Anadolu Agency.
Sipas tij, Rusia është e interesuar të ketë një Afganistan të qetë, të zhvilluar pa kërcënimin terrorist dhe trafikun e drogës dhe për këtë është e nevojshme të ndihmohet Afganistani të rivendosë ekonominë.
Putin theksoi se tërheqja mund të ishte bërë ndryshe por me kalimin e kohës, gjithçka do të vjen në vend.
“Sa i përket çështjeve të sigurisë, forcat ruse të rendit mbajnë kontakte të nevojshme me strukturat përkatëse afgane”, tha ai.
Top Channel