Enkelejd Alibeaj e ka komentuar një strategji për të penguar hetimin e zgjedhjeve të 25 prillit, largimin e PS-së nga mbledhja e dytë e Komisionit Hetimor.
“U çuan të gjithë, duket që është strategji për të bërë të pamundur mbledhjen e komisionit, ikën pa asnjë arsyetim. Dy ishin propozimet e palës tjetër që nuk u ra dakord. Bëhet fjalë për drejtimin e komisionit, tjetri ishte edhe më i rëndë dhe demaskon qëndrimin e PS. Bëhet fjalë për një çështje që është zgjidhur prej më shumë se 10 vitesh më parë për të drejtën e çdo anëtari të komisionit hetimor për të kërkuar marrjen e provave dhe që kjo e drejtë pranohet pa votim”, tha Alibeaj.
Ai theksoi se është e drejtë e çdo anëtari të thërrasë dëshmitarë, të kërkojë dokumente e të hetojë, pasi ky është thelbi i Komisionit Hetimor.
“Është e drejtë e çdo anëtari të thërrasë dëshmitarë, të kërkojë dokumente, është e drejta për të hetuar, thelbi i komisionit hetimor. Propozimi i z.Naço ishte që kërkesa për të hetime, për të marrë prova, për të thirrur dëshmitarë, t’i nënshtrohej votimit, pra shumicës socialiste, në mënyrë flagrante në kundërshtim me ligjin. Ata kërkojnë që çdo kërkesë e deputetëve për të hetuar do rrëzohej me forcën e kartonëve të atyre që janë në akuzë. Pjesë e një strategjie penguese”, tha ai.
Alibeaj lajmëroi se mbledhja e radhës do të jetë në datën 27 tetor, ora 11:00, ku do të ecet para me kërkesat për marrje dokumentesh apo plotësim dokumentacioni.
“Në datën 27 tetor, ora 11 është caktuar mbledhja e radhës, në të cilën do të ecet para me kërkesat për marrje dokumentesh , plotësim dokumentacioni. Ka strategji të demaskuar për të penguar veprimtarinë e komisionit. Instrumentet komisioni i ka dhe do vijojë punën. Ata kërkojnë që me forcën e kartonit të kufizojnë të drejtën e opozitës për të hetuar“, tha Alibeaj.
Top Channel