Ish-kryeministri Sali Berisha të premten ka ripërsëritur akuzat e tij ndaj qeverisë Rama, duke e konsideruar qeverisjen e këtij të fundit si regjim, i njohur nga pjesa më e madhe e vendeve të Europës si një narko-shtet në zemër të kontinentit.
Berisha nga Berati në “Foltoren” e tij tha se jemi mbledhur sot në një moment kritik për vendin, për të gjithë ju qytetarët dhe po ashtu edhe për Partinë Demokratike, pasi një regjim që pranohet nga të gjitha vendet e Evropës si narko-shtet, hyri në mandatin e tij të tretë qeverisës.
Ish-kryeministri tha se Edi Rama jo vetëm e grabiti mandatin e tretë qeverisës, por në tetë vite vetëm sa e nxiu reputacionin, emrin por edhe jetën e gjithë shqiptarëve në botë.
“Në tetë vite kaloi nga një rekord në një rekord tjetër të zi. Unë mund t’ju numëroj ju vetëm pasojat e COVID-it. Ne jemi një nga tre vendet e botës me vdekshmërinë më të lartë si pasojë e koronavirusit. Ne përfunduam në top-listën e vdekshmërisë nga COVID, jo se ne nuk e kemi një sistem shëndetësor, pasi ne e kemi një të tillë dhe as s’e nuk kemi mungesë përgjegjshmërie, pasi ne jemi të përgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për rrezikun që na kanoset nga infektimi me këtë virus. Ne përfunduam në çatinë e botës për numrin e vdekshmërisë nga COVID-i për shkak të politikave që ndoqën, pasi pjesa më e madhe e tyre ishte kundra shqiptarëve. Njeriu që e çoi vendin në majën e vdekshmërisë nga COVID, jo vetëm që s’u largua, por ai vazhdon të vjedhë shqiptarët”, tha Berisha.
Ish-kryeministri në fjalën e tij u ndal edhe tek kriza energjetike që ka mbërthyer vendin, duke e konsideruar atë një krizë që buron nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi i tre ndërmjarrjeve të energjisë në vend.
“Edi Rama sot u bie burive të krizës energjetike, por kjo është një krizë e krijuar nga dora e tij. Po ju them se me 31 korrik, kaskada e Drinit ka qenë në maksimumin e lejueshëm të ujërave të saj. Kjo kaskadë është e mjaftueshme për të rregulluar furnizimin me energji elektrike për vendin për tre muaj, por çfarë bënë këta? Nga babëzia e tyre e zbrazen brenda 40 ditëve. Po si e bënë këtë ata? Shiten energji me 40 euro, ndërsa OSHEE nga ana tjetër e blinte me 130 euro nga brokeri i qeverisë për të ndarë parat me ministrat e qeverisë. Sot rritet çmimi i energjisë edhe nëse bie apo rritet çmimi i gazit. Tre ndërmarrje të energjisë elektrike prodhojnë në vit 1 mld euro. Por tani që i kanë çuar këto kompani drejt falimentimit, duhet të merren parat nga taksat tuaja për të garantuar energjinë elektrike”, tha ai.
Berisha thekson se këto ndërmarrje janë kompani që krijojnë fitime të mëdha, por si lejon korrupsioni i energjisë. Ish-kryeministri është ndalur më tej edhe tek rritja e çmimeve të produkteve bazë, duke theksuar se çdo qeveri duhet të indeksonte rritjen e çmimeve në vend.
“Qeveria nuk ka shtuar asnjë qindarkë për kompensim. Sepse kreu i Meduzës, do t’i hutojë shqiptarët me “Arnaut 1 dhe Arnaut 2”. Pasi problemi i shqiptarëve qenka sateliti. Ai u thotë fërmerëve se tani do të keni të dhëna me satelit, ky jo vetëm që është një hajdut i pashpirt, por edhe mashtrues. Shqiptarët janë të fundit dhe sot marrin një pagë 30% më të vogël se Kosova. Janë marrë miliarda euro borxh dhe me këtë rritje të borxhit që kalon 80%, por që askush s’e di se çfarë është ndërtuar në këto tetë vite. Sot një km rrugë e ndërtuar me parat tuaja kushton 1.8 herë më shumë se sa me parat e ndërtuara nga bankat evropiane. Është rritur me 15 herë prokurorimi sekret që është i gjithi një vjedhje në errësirë”, tha Berisha.
Top Channel