
Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për konfiskimin e 3.4 milionë eurove që u gjetën në dy makinat “Toyta Yaris”, të zbuluara tre vite më parë në Portin e Durrësit.
Në lidhje me këtë ngjarje, tre ditë më parë, Gjykata e Tiranës dënoi Elvis Vladin me 1 vit e 6 muaj burg. Për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, Vladi do të qëndrojë në qeli vetëm një vit.
Vladi u dënua për veprat penale mosdeklarimit të hollash, ndërkohë që akuza fillestare ka qenë “pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Kjo çështje në fillim u përdor si një ‘kal beteje’ nga opozita shqiptare për të akuzuar ashpër kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha denoncoi në Kuvend, dy ditë para se të bllokoheshin në portin e Durrësit automjetet që vinin nga Belgjika, në të cilat ishte fshehur shuma prej 3.4 milionë eurosh.
Taulant Balla e paditi Lulzim Bashën për shpifje, lidhur me deklaratat që ky i fundit bëri në Kuvend, se shuma e 3.4 milionë eurove e zbuluar ne dy makinat ‘Toyota Yaris’ i përkiste kreut të grupit socialist.
Lulzim Basha u dënua nga gjykata me 50 mijë lekë gjobë për shpifje ndaj Taulant Ballës.
Top Channel