Ish kryeministri, Sali Berisha ka mbërritur në Berat për tu takuar me simpatizantët demokratë. Në fjalën e tij para tyre, foli për Covidin duke thënë se përgjegjësit që shkaktuan vdekshmërinë më të lartë janë ende në qeveri.
Sali Berisha: Berati ka qenë diamanti i kurorës së saj. Me trashëgiminë e madhe para së gjithash shpirtërore të qytetarëve të këtij qyteti, sot fatmirësisht Berati është pasuri botërore që bën krenar cdo shqiptar.
Ne mblidhemi në një moment kritik, në një periudhë udhëkryqi të vërtetë për demokracinë shqiptare, për PD, por po kaq edhe për Shqipërinë. Sot një regjim i cili pranohet thuajse botërisht si narkoshtet hyri në mandatin e tij të tretë.
Edi Rama grabiti mandatin e tretë, reputacionin, emrin por dhe jetën e shqiptarëve në Shqipëri, Europë dhe botë. Në 8 vite kaloi nga një rekord i zi në një tjetër. Mund t’ju numëroj vetëm pasojat e Covidit, ne jemi në krye të kombeve në Europë dhe në 3-4 kombe me vdekshmërinë më të lartë nga kjo sëmundje dhe kjo jo se nuk kemi sistem shëndetësor, jo se ishim të prapambetur e të pavetëdijshëm. Jo, ne kemi një shkollim në rritje për problemet e shëndetit por sepse politikat që u ndoqën ishin fund e krye në favor të Covidit dhe jo të qytetarëve.
Megjithatë, përgjegjësit më kryesor të kësaj drame që ngjiti Shqipërinë në çatinë e Europës dhe botës për nurmin e vdekshmërisë nga Covidi, jo vetëm që nuk u larguan, përkundrazi janë po ata në qeveri dhe vijojnë me po të njëjtat praktika të vjedhin qytetarët shqiptarë.
Top Channel