Balluku takon shoqatat e transportit: Policia do ndalojë mjetet që punojnë ilegalisht

22/10/2021 00:44

Ministrja Belinda Balluku ka lajmëruar fillimin e një fushate me strukturat shtetërore për të goditur transportin informal dhe të palicensuar. Kërkesë kjo që erdhi nga shoqatat e transportit.

“Presim që të na informoni për të gjithë automjetet private që kryejnë funksionet e transportit të paligjshëm dhe ne do marrim masa menjëherë. Do kontaktojmë drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit duke i ofruar këtë informacion për verifikim. Në rast se konstatohet veprim i paligjshëm, do ketë edhe marrje masash.

Po e bëj me dije sot që të mos ketë nesër “ç’qe kjo fushatë, pse po goditemi” që të gjitha ato automjete të cilat kryejnë funksione të transportit publik në mënyrë të paligjshme, duke nisur që nesër, Policia e Shtetit do të ketë një aksion për të ç’bërë njëherë e mirë këtë situatë. Kësaj here do ta bëjmë me grusht të hekurt, do të ndalojë njëherë e mirë i gjithë transporti i paligjshëm, që afekton negativisht transportin”- tha Balluku.

Balluku është njohur zyrtarisht edhe me kërkesat e Shoqatës së Transportit Qytetas së Tiranës, e cila ka përgjysmuar flotën e saj të autobusëve në qarkullim.

Ministrja u shpreh se kërkesat e tyre do të merren parasysh për tu zgjidhur në një moment të dytë, ndërsa theksoi se gjatë pandemisë ata nuk u lanë në baltë dhe kërkoi mirëkuptim për situatën e re.

Shoqata kërkon indeksim të çmimit të karburantit duke kërcënuar se nëse nuk merren masa, atëherë në nëntor do të operojnë jo me gjysmën e flotës por më 20% të kapacitetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA