Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka njoftuar hapjen e rrjetit të tij social, pasi u ndalua në janar nga Twitter, Facebook dhe YouTube.
Gjigantët e teknologjisë e ndaluan atë pas trazirave të 6 janarit në ndërtesën e Kapitolit, për të cilat u akuzua për inkurajimin e tyre, duke përdorur profilet e tij në mediat sociale.
Ai njoftoi krijimin e një rrjeti të ri, të cilin e ka emërtuar Truth Social, duke deklaruar se “ne jetojmë në një botë ku talebanët kanë një llogari të hapur në Twitter, ndërsa Presidenti juaj është fshirë. Kjo është e papranueshme”.
Ai tha më tej se dëshiron të qëndrojë në një pozicion të kundërt me tiraninë e gjigantëve të teknologjisë, të cilët kanë përdorur fuqinë e tyre për t’iu mbyllur gojën kritikëve në Amerikë.
Kjo platformë e re sociale do të jetë në pronësi të grupit të sapo krijuar Trump Media&Technology Group (TMTG).
Për çfarë arsye u bllokua nga rrjetet sociale?
Trumpi postoi një video në Twitter dhe Facebook më shumë se dy orë pasi protestuesit hynë në Kapitol dhe kur autoritetet përpiqeshin të merrnin kontrollin e situatës.
Trumpi e niste videon e tij duke thënë, “Unë e di dhimbjen tuaj. Unë e di lëndimin tuaj. Por ju duhet të shkoni në shtëpi tani.”
Ai përsëriti pretendimet për mashtrimin e votuesve në video. Ai gjithashtu u bëri thirrje mbështetësve të tij, duke thënë “Ne nuk duam që të lëndohet askush”, duke shtuar: “Ne nuk duam që këta njerëz të përfitojnë nga kjo.”
Drejtpërdrejt duke iu drejtuar mbështetësve të tij në video, ai tha: “Ne ju duam, ju jeni shumë të veçantë”.
Ligjvënësit republikanë dhe zyrtarët e mëparshëm të qeverisë thuhet se i ishin lutur Trumpit që t’u bënte thirrje mbështetësve të tij për të shuar dhunën.
Top Channel