Facebook dhe Twitter ia kanë mbyllur llogaritë, por Donald Trump nuk ka ndërmend të tërhiqet.
Ish presidentit amerikan i duhej një platform për të folur, ndaj në vend që të bindë rrjetet sociale ekzistuese, zgjodhi të hapë rrjetin e tij. Ai do të quhet TRUTH Social, dhe nis nga funksionimi në muajin nëntor.
Fillimisht qasja do të jetë e kufizuar për një numër të caktuar njerëzish, dhe pastaj vitin e ardhshëm, fillon shpërndarja në masë. Trump nuk e fsheh qëllimin e tij: TRUTH Social është krijuar që të rivalizojë “kompanitë e mëdha teknologjike” të cilat i bënë bllokadë ish shefit të Shtëpisë së Bardhë.
“Ne jetojmë në një botë ku edhe talebanët kanë një prani të madhe në Twitter, e megjithatë Presidenti juaj i preferuar amerikan është detyruar të heshtë. Kjo është e papranueshme”, tha Trump sipas të cilit, TRUTH Social u krijua me misionin t`u japë zë të gjithëve.
Llogaritë e ish-presidentit u ndaluan nga Twitter, Facebook dhe disa rrjete tjera pas sulmit në Kongresin amerikan në 6 janar nga mbështetësit e Trumpit që kërkuan të ndalonin certifikimin e fitores së Joe Bidenit në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Në arsyetimin e tyre për bllokimin e Trumpit me 88 milionë ndjekës vetëm në Twitter, platformat e mediave sociale përmendën rrezikun e dhunës.
Top Channel