Në Bruksel nisi takimi i parë i grupit të punës për targat që nxitën tensionet në veri të Kosovës. I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, e bëri të qartë se pret që në një periudhë 6 mujore të ketë një propozim konkret.

Prita në Bruksel delegacionet e të dyja palëve për të diskutuar mbi targat, siç ramë dakord në 30 shtator. Grupi i kryesuar nga këshilltarët e mi do të takohet rregullisht. Besoj se ata do të paraqesin rezultate te prekshme brenda gjashtë muajsh”, ka shkruar Lajçak.

Vendimi për të formuar grupet e punës për targat ishte rezultat i takimeve që ekipet negociatore patën në Bruksel me të dërguarin e Posaçëm europian për dialogun në kohën kur kishin shpërthyer tensionet për shkak të vendosjes së masës së reciprocitetit nga ana e Prishtinës.

Serbët lokalë vendosën barrikada nëpër rrugë duke bllokuar lëvizjen në pikat e kalimit kufitar të Jarinjës dhe Bërnjakut, ndërsa Kosova dërgoi në zonë njësitë special.

Zgjidhja e përkohshme që iu dha ngërçit të krijuar ishte të mbulohen me letër ngjitëse pjesët e targave ku gjenden simbolet shtetërore dhe kjo gjë vlen për të dyja vendet.

Top Channel