Stoltenberg: Marrëdhëniet me Rusinë janë në pikën më të ulët prej Luftës së Ftohtë

21/10/2021 22:45

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të enjten se marrëdhëniet me Rusinë kanë arritur në pikën më të ulët.

“Nuk ka qenë më e vështirë prej përfundimit të Luftës së Ftohtë”, ka thënë Stoltenberg para se të niste samiti dyditor i ministrave të Mbrojtjes në Bruksel, më 21 tetor.

Më herët gjatë këtij muaji, NATO-ja ka dëbuar tetë rusë të akredituar në aleancë, duke thënë se kanë qenë agjentë të inteligjencës.

NATO-ja po ashtu ka ulur numrin e pozitave për akreditim për Rusinë, në dhjetë.

Rusia është përgjigjur duke pezulluar misionin e saj në NATO dhe ka urdhëruar mbylljen e zyrave të aleancës veri-atlantike në Moskë, duke e akuzuar atë se nuk dëshiron dialog dhe se ka dështuar që të ofrojë dëshmi për supozimet rreth spiunimit.

“Ne kemi ende kanale të komunikimit me Rusinë, mirëpo na vjen keq për vendimin e Rusisë që të mbyllë dy zyrat e NATO-s në Moskë dhe të ndalë aktivitetin në misionin e NATO-s”, ka thënë Stoltenberg.

“Qasja e NATO-s ndaj Rusisë vazhdon të jetë e njëjtë si më parë, që nënkupton parandalim dhe mbrojtje të besueshme, të kombinuar me përpjekjet për të pasur dialog kuptimplotë me Rusinë”, ka thënë ai.

Ministrja gjermane e Drejtësisë, Annegret Kramp-Karrenbauer, ka thënë se misioni rus në NATO, ka kryer aktivitete të inteligjencës, të mbuluar me status diplomatik.

“Kjo nuk është sjellje e re”, ka thënë ajo.

Mospajtimet e fundit në mes të NATO-s dhe Rusisë nuk janë në agjendën e samitit në Bruksel, ku ministrat e Mbrojtjes pritet të diskutojnë të ashtuquajturin “master plan” për të mbrojtur aleancën kundër secilit sulm potencial nga Rusia.

Anëtarët e aleancës do të diskutojnë edhe çështje tjera, duke përfshirë mbrojtjen e përbashkët dhe shqetësimet për rritjen e Kinës, investimet në teknologji të re dhe procesin e analizimit të asaj çfarë është mësuar nga misioni në Afganistan./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA