“Synimet e rrezikshme” të Dodikut kërcënojnë paqen. Kështu i vlerësojnë analistët njoftimet për anulimin e njëanshëm të ligjeve shtetërore të Bosnje-Hercegovinës në territorin e Republikës Srpska.
Me anulimin e “ligjit të Inzkos” për ndalimin e mohimit të gjenocidit, autoritetet e Republika Srpska kanë kryer një grusht shteti, sepse nivelet më të ulëta të qeverisjes nuk mund të mohojnë në mënyrë të njëanshme ligjet e miratuara në një nivel më të lartë, shtetëror, thotë sociologu Slavo Kukiç. I inkurajuar nga mungesa e një reagimi adekuat nga bashkësia ndërkombëtare, pikësëpari nga zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), Milorad Dodik tani paralajmëron “lëvizje më të rrezikshme”, kthimin në “Dejtonin origjinal”, me ndalimin e punës së agjencive shtetërore (SIPA – Agjencia Shtetërore për Hetimin dhe Mbrojtjen dhe OSA – Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë) në territorin e entitetit të Republikës Srpska.
Dodik kërcënon edhe me tërheqjen nga “marrëveshja për Forcat e Armatosura të B-H” dhe me riformimin e ushtrisë së RS, me largimin nga sistemi fiskal shtetëror dhe ndalimin e punës së organeve shtetërore gjyqësore (Gjykata dhe Prokuroria e B-H) në territorin e këtij entiteti. Dodik prej pesëmbëdhjetë vjetësh përdor të njëjtën qasje “hap pas hapi” në varësi të reagimeve. Por tani ai e ka kaluar vijën e kuqe dhe mendoj se nuk ka kthim mbrapa, jo për shkak të aventurave politike, të cilave po u hyn, por për shkak të vlerësimit të tij se vetëm radikalizmi politik mund ta shpëtojë nga krimi, që lidhet me të dhe më të afërtit e tij – edhe anëtarët e familjes edhe bashkëpunëtorët”, thotë Slavo Kukiç për DW.
Grusht shteti
Posaçërisht e rrezikshme është shpallja e anulimeve të ligjeve kryesore, që u miratuan atëherë në institucione si rezultat i reformave shumëvjeçare me ndihmën këshilluese dhe financiare të bashkësisë ndërkombëtare, kryesisht të BE dhe SHBA. “Historia e kthimit te “Dejtonit origjinal “, siç kërkon Dodik, është jashtë kushtetutës së Bosnjë Hercegovinës dhe sinqerisht shpresoj se do të mund ta derdhë më në fund gotën në qendrat e fuqive ndërkombëtare dhe në Prokurorinë e Bosnjë Hercegovinës – sepse është fjala për një sulm klasik ndaj rendit kushtetues. Me vendimet e RS për anulimin e ‘ligjit Inzko’, që pas nënshkrimit prej Presidentes së Republikës Srpska u botua edhe në fletoren zyrtare të RS, u krye një grushti shteti i llojit të vet. Nëse e gjithë kjo mbetet pa kurrfarë përgjigjeje, si nga ana e vendasve ashtu edhe e ndërkombëtarëve, nuk na pret një e ardhme premtuese”, vlerëson Kukiç.
Bashkëbiseduesi i DW është i sigurt se Milorad Dodik “nuk do të largohej as nga skenarët më radikalë” për të ruajtur pozicionin e tij në pushtet. “Problemi i tij është, se ai është gjithnjë e më pak i sigurt, që do të ketë për këtë mbështetjen e serbëve nga RS. Më fakt opozita e atjeshme, pasi për disa vjet ai qe në gjendje ta tërhiqte atë në lojërat e tij, i ka kthyer shpinën hapur dhe shpresoj definitivisht. Dhe këtë javët e fundit ata e kanë përsëritur pothuajse çdo ditë. Nuk jam i sigurt, nëse skenarë të tillë do të ishin të gatshëm t`i ndiqnin të gjithë partnerët e koalicionit, por jam i sigurt se edhe një përqindje e madhe e qytetarëve të RS do t’i kthenin shpinën. Që të kuptohemi, këtë e ka të qartë edhe Dodiku. Për këtë arsye nuk jam i sigurt nëse, edhe pse logjikën e radikalizimit do ta çojë deri në fund, nuk i mban valixhet të bëra gati”, përfundon Kukiç.
Dodik nuk ka mbështetjen e opozitës në RS
Nuk është i pakët numri i atyre që mendojnë se kërcënimet e Dodikut janë vetëm „retorikë parazgjedhore”, e cila, siç pohon sociologu Kukiç, nuk ka pushuar në Bosnjë Hercegovinë në dhjetë vitet e fundit. Muajt e fundit, ashtu si dhe para çdo zgjedhjeje në vitet e mëparshme, ajo ka shërbyer për homogjenizimin e elektoratit. Këtë e pohon edhe ish-diplomati Sllobodan Shoja, i cili shkruan në profilin e tij në Facebook, se njerëzit në Bosnjë Hercegovinë janë me të vërtetë të trembur, por luftë „nuk do të ketë”. „Po na ndodhin gjithfarë gjërash dhe gjithçka po flitet ditët e fundit. Për fat të mirë, asgjë e re dhe asgjë serioze. Njerëzit janë të frikësuar, prej një kohe të gjatë punohet për këtë. Mjeshtrave tanë shpesh u pëlqen të yshtin pasionet e njerëzve që u besojnë lehtë. E para dhe më kryesorja: luftë sigurisht që nuk do të ketë dhe madje është joserioze të përmendesh këtë mundësi. “Ajo që po jetojmë, nuk ka të bëjë aspak me vitet 1990, dhe këtë krahasim e bëjnë vetëm keqdashësit”, thotë ish-diplomati.
Megjithatë gjithnjë e më i madh është numri i atyre, që në ngjarjet aktuale në Bosnjë Hercegovinë dhe rajon rishohin pikërisht vitet 90-të, dhe anulimin e „ligjit të Inzkos“ në RS e konsiderojnë si model për shpërbërjen e mëtejshme të shtetit të Bosnje Hervegovinës. Politikani serb dhe ish-anëtari i presidendës së Bosnje Hercegovinës, Mladen Ivanić mendon se kriza aktuale politike dhe kushtetuese në Bosnjë Hercegovinë është “më e madhja që nga Daytoni” dhe se Dodiku kësaj radhe është i gatshëm të shkojë deri në fund – çfarëdo që do të thotë kjo, por që opozita ne RS nuk do të ndjekë aventurizmin e tij. Opozita, e cila e mbështeti Dodikun për shfuqizimin e “ligjit të Inzkos” në parlamentin e RS, tani e ka bërë të qartë se nuk do të ndjekë SNSD-në e Dodikut (Lidhja e Socialdemokratëve të Pavarur) në shfuqizimin e njëanshëm të ligjeve shtetërore.
“Dhe SDS në program mbron ‘Dejtonin origjinal’, dhe ne gjithmonë do të jemi të interesuar që të gjitha kompetencat e transferuara në shtet t’i kthehen RS.” Por kjo duhet të bëhet në të njëjtën mënyrë siç janë transferuar në shtetin e Bosnjë Hercegovinës, dhe kjo është në parlamentet dhe institucionet e tjera të shtetit dhe entiteteve”, thotë presidenti i SDS -së, Mirko Sharoviç.
“Nuk do të ketë luftë, por incidentet janë të mundshme”
Dodik, i cili së fundmi u takua në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov, vjen me një skenar të viteve 90-të. Duke folur për riformimin e ushtrisë së Republikës Srpska, ai kërcënon se „do të marrë kazermat e forcave të armatosura të Bosnjë Hercegovinës, siç kanë bërë sllovenët me kazermat e ish-JNA-së (Ushtrisë popullore jugosllave) në vitin 1992”. Megjithatë nuk përmendi, se atëherë u patën vrarë 40 vetë. Pastaj deklaroi se „miqtë i kanë premtuar ndihmë Republikës Srpska në rast të përshkallëzimit të dhunës dhe intervenimit ushtarak të Perëndimit.
Analistët në përgjithësi janë të një mendimi, se asnjë vend, përfshirë Serbinë dhe Rusinë, nuk do ta mbështeste hapur Dodikun ushtarakisht në rast konflikti të armatosur. Tjetër është angazhimi i mercenarëve, formacioneve paramilitare dhe “vullnetarëve”. Analisti ushtarako-politik, Gjuro Kozar nuk beson se konflikti në Bosnjë Hercegovinë mund të përshkallëzohet, por nuk përjashton “incidentet”. “Në Bosnjë Hercegovinë janë EUFOR (European Union Force – Forcat e BE -së në B-H) dhe shtabi I NATO-s dhe ata ndjekin situatën dhe janë gati të reagojnë, nëse policia e RS për shembull do të rrethojë kazermat në Banja Luka, Doboj ose Bileça. Është indikative që Dodik vazhdimisht thotë se ka mbështetje për skenarë destruktivë, me sa duket duke llogaritur me Serbinë dhe Rusinë. Pyetja është, nëse këto vende do të donin dhe mund të ndihmonin ushtarakisht, pasi RS është e rrethuar me anëtarë të NATO -s, që do të pengonin ndërhyrjen e jashtme në rast të një situate konflikti në Bosnjë Hercegovinë”, thotë Kozar për DW.
Të përforcohen forcat e EUFOR-it dhe NATO-s
Bashkëthemeluesi i Këshillit për Politikën e Demokratizimit nga Berlini, Kurt Bassuener, mendon se Perëndimi, përmes EUFOR-it dhe NATO-s tashmë të pranishëm, duhet të forcojë praninë ushtarake në rajon. “Duhet të dërgohen më shumë ushtarë në B-H, sepse vetëm kjo mund të ndalojë Dodikun dhe Rusinë. Dodik është mësuar që Perëndimi të tërhiqet dhe përgjigja verbale nuk është e mjaftueshme. Kam frikë se do të ketë reagime të brendshme. Çfarëdo përpjekje për të ndarë B-H nuk do të përfundojë mirë … Dodik gjithçka e bën me mbështetjen e Vuçiçit dhe Lavrovit. Nuk është për t’u habitur që Dodik e krahason situatën në Republikën Srpska me Slloveninë. Shikoni vetëm se kush janë miqtë e Dodikut – Viktor Orban dhe Janez Jansha … (Christian)Schmidt tha se gjithçka është çështje e autoriteteve të Bosnjë Hercegovinës.Kjo nuk është mirë! Schmidt nuk ishte i aftë për punën që ka marrë”, tha Bassuener për televizionin FACE.
Nga serioziteti i situatës paralajmërojnë edhe zyrtarët e vendeve fqinje, secili nga perspektiva e tij dhe në përputhje me prioritetet e veta. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar se “vendet e fuqishme evropiane” deri në fund të pranverës së ardhshme do të kërkojnë “zhdukjen e RS”. Edhe ministri kroat i Punëve të Jashtme dhe Evropës, Gordan Grliç Radman, është i shqetësuar për zhvillimin politik të situatës në B-H dhe në rajon. “Në vend të konsensusit për reformën e ligjit zgjedhor, ne tani kemi një përshkallëzim politik dhe bllokim të institucioneve”, tha Radman.
Kush e mbështet në BE publikisht Dodikun?
Serbia dhe Kroacia, së bashku me përfaqësuesit e nëntë vendeve të tjera evropiane kohët e fundit iu përgjigjën ftesës së Milorad Dodik-ut për një takim në Sarajevën lindore, ku ai i informoi, se RS do të anulojë në mënyrë të njëanshme ligje të rëndësishme shtetërore. Në takim ishin ftuar përfaqësues të ambasadave të 28 vendeve, dhe ftesës iu përgjigjen 11 prej tyre, kështu që disa media e vlerësuan këtë lëvizje si një “dështim diplomatik”. Por të tjerët vunë në dukje, se 11 nuk është një numër fare i parëndësishëm. Agjencia e lajmeve Patria mëson se në takimin e Dodikut morën pjesë ambasadorët e Kroacisë, Norvegjisë, Polonisë, Bullgarisë, Greqisë, Suedisë, Rumanisë dhe Zvicrës, ndërsa disa ambasada dërguan nëpunës të rangut më të ulët.
Deklarata e Milorad Dodik se shtatë vende anëtare të BE do të mbështesin një “shpërbërje paqësore” në B-H u mohua nga institucionet evropiane. Zëdhënësi i BE Peter Stano tha se nuk ka shtatë anëtarë të BE, që janë në favor të një “shpërbërje paqësore”. “Kushdo që vë në dyshim integritetin dhe integritetin e B-H nuk është i pranueshëm për BE. Ky është një pozicion dhe qendrim i qartë i të gjithë 27 anëtarëve të BE – ne jemi të përkushtuar ndaj sovranitetit dhe integritetit të B-H”, tha Stano.
Të pushtetshmit pranojnë vetëm gjendjen faktike
Disa media në B-H, mes tyre edhe portali Istraga.ba, paralajmërojnë se “fuqitë e mëdha” njohin vetëm “situatën faktike”, duke sugjeruar se edhe ndryshimi i situatës në B-H mund të trajtohej sipas të njëjtit parim. Ky portal kritikon gjithashtu Përfaqësuesin e Lartë, Christian Schmidt, “i cili duhet të fillonte të bënte punën e tij”.
Prokuroria e Bosnjë-Hercegovinës, me kërkesë të 14 prokurorëve, hapi të hënën (18 tetor) një procedurë të re për shkak të paraqitjeve në media të anëtarit të Presidencës së B-H, Milorad Dodik, në të cilat ai shpreh kërcënime ndaj integritetit territorial dhe institucioneve të B-H. Rasti është formuluar në bazë të një neni të Kodit Penal, që i referohet “sulmit ndaj rendit kushtetues, vënies në rrezik të integritetit territorial, minimit të fuqisë ushtarake ose mbrojtëse, rebelimit të armatosur dhe formimit të kundërligjshëm të forcave ushtarake”, për të cilat janë parashikuar dënime me burgim deri në 10 vjet. Sanksione të reja, gjithëpërfshirëse kundër përgjegjësve për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor kanë njoftuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe kjo përmes të dërguarit Gabriel Escobar.
Top Channel