Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s përgatiten t`i japin dritën jeshile një master-plani të ri për mbrojtjen e aleancës nga një sulm i mundshëm i Rusisë në shumë fronte, në përpjekje për ta parandaluar kështu rrezikun nga Moska.
Diplomatë e zyrtarë thanë se kjo gjë bëhet pavarësisht vëmendjes së re që Nato-ja poi kushton dhe rritjes së kërcënimit nga Kina.
Të njëjtët burime pohojnë se strategjia, e cila është ende konfidenciale, shkon përtej planeve ekzistuese rajonale të mbrojtjes. Qëllimi i saj është të bëhen përgatitje për një goditje të mundshme në zonën e Detit Baltik dhe Detit të Zi.
Duket se masat që parashikohen në këtë plan lidhen dhe me përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, një sulm nga hapësira ose dhe thjesht një ofensivë kibernetike. Sipas zyrtarëve, rreziku i një sulmi të tillë nuk është i menjëhershëm.
Megjithatë, situata e krijuar së fundi pas vendimit të Moskës për të pezulluar misionin e saj në NATO, ka përforcuar frikën e një përplasjeje. Rusia vetë sakaq, sipas Reuters, mohon të ketë synime të lidhura me luftën dhe thotë se është NATO-ja ajo që po rrezikon ta destabilizojë Evropën me përgatitje të tilla.
Top Channel