“Bota serbe” u përmend si koncept për herë të parë në shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo kohë në Ballkanin Perëndimor ka pasur paralajmërime se ajo frazë rikujton aspiratat e politikës zyrtare serbe që pati rol kyç në shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë në fillim të viteve 1990, thotë REL.

Në anën tjetër, nga Beogradi thonë se elita politike që udhëheq vendin nga viti 2012 nuk ka aspirata territoriale ndaj fqinjëve, por vetëm tregon kujdes ndaj qytetarëve me kombësi serbe në shtetet që kanë dalë nga rënia e Jugosllavisë.

Toby Vogel, ekspert në Këshillin e Politikave të Demokratizimit mendon se ky në fakt është “një vazhdim i projektit të ‘Serbisë së madhe’ të Sllobodan Millosheviçit, por që mbase tani bëhet me mjete paqësore dhe artikulim të vizionit të presidentit Aleksandar Vuçiç, si lider i të gjithë serbëve”.

“Ideja kryesore që teksa  ‘Serbia e madhe’ mbetet një ëndërr, “Bota serbe” mund ta zëvendësojë atë, ose serbët duhet të presin një ose dy dekada derisa të mund të jetojnë në një shtet të vetëm, por që gjithmonë do ta mbajnë të bashkuar ‘shpirtin’ serb.

Duke pasur parasysh atë që ndodhi në vitet 1990, është e qartë se kjo gjithmonë do t’i bëjë fqinjët e Serbisë jashtëzakonisht nervozë, dhe për këtë kanë arsye, sepse ajo është një ide destabilizuese”, shprehet Vogel.

Muajin e kaluar, presidenti kroat  Zoran Millanoviç deklaroi se është detyrë e tij që t’u tregojë partnerëve perëndimor kërcënimet nga ideja e “Botës serbe”.

Ai këto komente i bëri gjatë takimit në Zagreb me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, i cili tha se ky koncept është eufemizëm për politikën e ‘Serbisë së madhe” dhe se është detyra e tij ta tregojë këtë në forumet ndërkombëtare.

Top Channel