Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim këtë të enjte i ka bërë thirrje Kuvendit të Shqipërisë të zgjasë mandatin e Vettingut.
Pas një takimi që zhvilloi me ambasadorin e OSBE-së, Del Monaco, Kim bëri një postim në Tëitter, ku theksonte se duhen përmbushur rekomandimet e OSBE/ODIHR.
“U takova me Ambasadorin e OSBE në Shqipëri Del Monaco sot për të diskutuar një sërë çështjesh. Ramë dakord që, në përputhje me rekomandimin e ONM-së, Parlamenti duhet të miratojë reformën kushtetuese për të zgjatur mandatin e vetingut. Gjithashtu jemi dakord që autoritetet dhe palët duhet të veprojnë sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet”, shkruan ambasadorja Kim.
Partia Socialiste ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për shtyrjen e afatit të organeve të Vettingut. Socialistët kërkojnë që zgjatja e mandatit të jetë deri në 31 dhjetor të 2024, pra me 2 vite e gjysmë.
Ndërkohë, organeve të Vetingut i përfundon mandati në qershor të vitit 2022. Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, sipas të cilit, zgjatja e Reformës në Drejtësi nuk ësht diçka për t’u negociuar me opozitën, por duhet të kryhet me patjetër. Sipas kreut të qeverisë, zgjatja e mandatit të Vettingut është një domosdoshmëri që vjen si rezultat i një procesi që ka treguar sesa i vyer është për largimin e llumit nga sistemi i drejtësisë.
Top Channel