Bashkimi Europian vazhdon të mbetet lojtari kryesor ekonomik në Ballkanin Perëndimor, dhe ka një ndikim të konsiderueshëm diplomatik.

BE ishte ajo që dha pjesën më të madhe të ndihmës për koronavirusin e tani, financon edhe rimëkëmbjen post-pandemisë. Unioni megjithatë duhet të fajësojë veten për faktin që influenca e tij në rajon po bie, thotë qendra Carnegie Europe, një burim i besuar analize të politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë së bllokut europian.

Aseti më i madh i BE-së, premtimi i anëtarësimit, është në fakt edhe “Thembra e saj e Akilit”, thuhet në shkrim. Nëse aderimi nuk është më një perspektivë e besueshme, lojtarët e fuqisë ballkanike ka të ngjarë të shmangin kërkesat e Brukselit e të kërkojnë diku tjetër mbështetje politike dhe shpërblime ekonomike.

Ballkani Perëndimor mbetet i vendosur në sferën e BE-së, por kjo nuk do të thotë se Brukseli, Berlini apo Parisi kontrollojnë situatën. Nëse shtrohet pyetja: A kanë reshtur qytetarët e Ballkanit Perëndimor së besuari se do t`i bashkohen bllokut tani shpejt, përgjigja është “po”.

Në vend që të shkelë premtimet, Brukseli, vazhdon artikulli,  duhet të përqendrohet në ato zotime të cilat mund t`i mbajë, e të kalojë në veprime konkrete për sa kohë mbetet investitor kyç në rajon dhe idealet e BE-së, ende i interesojnë qytetarëve të Ballkanit.

Top Channel