Në një moment kritik ndodhet Partia e Socialistëve grekë ‘Lëvizja për ndryshim’, vetëm disa ditë pasi liderja e tyre Fofi Gjenimatas, ka deklaruar se është diagnostifikuar me kancer dhe është tërhequr nga kandidatura e saj për kryetare në kongresin që do të zhvillojnë anëtarët e kësaj force historike të Greqisë disa javë më vonë.
Menjëherë pas tërheqjes së saj kanë shpallur kandidaturën 6 politikanë të njohur brenda kësaj partie, ndërsa pasditen e së mërkurës edhe ish kryeministri grek, Jorgos Papandreu shpalli kandidaturën e tij në zgjedhjet e KINAL (Lëvizja për Ndryshim) më 5 dhjetor 2021.
Sipas deklaratës së tij dhënë televizionit public, ish kryeministri grek ka theksuar se ‘kemi nevojë për një ndryshim të ri për qytetarët për vendin. Kjo është arsyeja pse kjo forcë demokratike duhet të rritet përsëri. Për tu bashkuar me forcat e tjera përparimtare në Evropë dhe botë, të cilat po kthehen në mënyrë dinamike.
Papandreu thekson gjithashtu: Vendosa të kandidoj për drejtimin e ‘Lëvizjes për Ndryshim’ dhe do të kontribuoj me gjithë forcën time për ta bërë partinë tonë të madhe dhe të fortë, përsëri protagonist të zhvillimeve, një katalizator për formimin e një propozimi të qeverisjes progresive,një ekip te aftë për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive ekzistencës se saj.
Socialistët greke, kryesisht të Lëvizjes Panhelenike Greke, PASOK kanë pësuar një tkurrje të madhe të forcave të tyre politike, prej vitit 2012 kur përqendruan në zgjedhjet e jashtëzakonshme të viteve të krizës vetëm 8% të votave, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2019 Jorgos Papandreu kishte triumfuar me rreth 44% të votave.
Prej atëherë Pasok-u që para një muaji festoi 47-vjetorin e krijimit të tij nga lideri i famshëm Andrea Papandreu, humbi besimin në popull për shkak të krizës ekonomike, por edhe bashkëpunimit të tij me konservatorët greke në qeveritë e viteve 2011-2014 që ishin edhe vitet me të egra për qytetarët grekë, pasi përjetuan reduktime të mëdha të të ardhurave si dhe u përballën me mundësinë e daljes nga eurozona.
Tashmë Jorgos Papandreu vjen përsëri në skenë duke dhënë një mesazh të ri shprese për përkrahësit e përçarë të kësaj force politike, që tashmë ndodhen në kampin e partisë së dytë më të madhe opozitare, Syriza me udhëheqës Aleksis Tsipras. Analistët nuk i japin shumë shanse ish kryeministrit Papandreu, ndërsa ndjekin me vëmendje zhvillimet politike të forcave të majta në vend, përballë qeverisë, Mitsotakis, të cilën sondazhet e ndryshme e mbajnë në vendin e parë gati 10 pikë larg opozitarëve të partisë Syriza.
Top Channel