Kryeministri Edi Rama dhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca zhvilluan një konferencë sot në Kryeministri për progres-raportin e KE-së.
Kryeministri shqiptar theksoi se Komisioni Evropian e rikonfirmoi bindjen se vendi ynë i ke përmbushur kushtet për të mbajtur Konferencën e Parë Ndërqeveritare.
“Dua të falënderoj ambasadorin, në këtë moment që është më i rëndësishmi mes Shqipërisë dhe KE-së përgjatë një viti. Dua ta falënderoj sinqerisht për punën. Ky është një instrument që ofrohet në BE për vende që për 1001 arsye janë në një fazë të ndërmjetme kalimi nga një stad i caktuar. Në rastin tonë quhej diktaturë në një demokraci funksionale. Në këtë aspekt është shumë e rëndësishme ta kuptojmë që përtej anëtarësimit ky është një proces i brendshëm, i domosdoshëm i pazëvendësueshëm për të pasur një shtet që funksionon me të gjitha normat dhe standardet e një shteti demokratik dhe modern.
Raporti që marrim sot është një tjetër në një vazhdë të disa të tjerave tanimë që Komisioni e konfirmon edhe një herë bindjen se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për të nisur formalisht atë që është vendosur më parë ne Këshillin Evropian dhe për të ndërmarrë diskutimin e anëtarësimit”, tha Rama.
Rama ka falënderuar delegacionin evropian në Shqipëri, të cilët kanë punuar për progres-raportin. Ai ka theksuar se Komisioni është një partner i drejtë, i paanshëm, rigoroz që e vlerëson progresin duke u bazuar në hulumtimin e fakteve në terren.
“Po ashtu dua të theksoj diçka që e kam theksuar vijimësisht dhe në forumet e nivelit më të lartë të pjesëmarrjes së vendit tonë me BE dhe në takimet e mia bilaterale. Ne gjejmë tek komisioni një partner të drejtë të paanshëm, rigoroz që e vlerëson progresin duke u bazuar në hulumtimin e fakteve në terren. Nuk ka në asnjë kryeqytet që strukturë të ngjashme apo që mund ta konkurrojë për nga cilësia e hulumtimit dhe për nga drejtësia delegacionin e Komisionit evropian dhe Bashkimit Evropian”, tha Rama.
Top Channel