Kryetari i Komisionit Hetimor, Enkelejd Alibeaj ka reaguar për bojkotin e përfaqësuesve të PS në mbledhjen e ditës së sotme duke thënë se opozita u përball me “befasi”. Sipas tij, mungesa e anëtarëve të mazhorancës është një strategji për të penguar veprimtarinë e hetimit të masakrës së 25 prillit.
“Ndodhi çudia e madhe”, tha Alibeaj duke iu referuar bojkotit nga mazhoranca ndërsa theksoi se do të bëjnë gjithçka për zvarritjen e veprimtarisë, ndaj nuk është i habitur nga kjo sjellje. Ndër të tjera bëri me dije se mbledhja e radhës do të jetë ditën e premte në orën 10:00.
Alibeaj: Siç jeni në dijeni, ditën e parë të Komisionit, pardje, kishim një debat lidhur me çështjen e rregullores. Ishte kërkesa e përfaqësuesve të PS që kërkuan kohë për tu konsultuar për mbledhjen e sotme me qëllim njohjen e rregullore.
Në bazë të ligjit, mbledhjet thirren nga kryetari i Komisionit. Unë, në konsultim me zotin Toni Gogu, i kam komunikuar që mbledhja e sotme do të ishte në datën 20 tetor, ora 15:00.
Anëtarët e opozitës në sallën e byrosë dhe u përballën para një befasie, një bojkot total i të gjithë anëtarëve të mazhorancës. Nuk kishte asnjë arsye. Arsyeja ishte se meqë jemi në javën e gjelbërt të kuvendit, sot po e marrim pushim dhe caktojmë një datë tjetër. Jemi këtu si detyrim i Kuvendit për një afat 3 mujor të Komisionit. Sot është dita e 6-të, nesër bëhet e 7-a dhe është e qartë se duket që është një strategji e qartë për të penguar veprimtarinë e hetimit të masakrës zgjedhore të 25 prillit.
Ata të cilët janë nën akuzë jo vetëm prej nesh është kjo pjesë e mazhorancës. Mazhoranca është e treguar, e akuzuar, e dokumentuar si hajdute e procesit zgjedhor të 25 prillit dhe është afër mendsh se do bëjnë gjithçka për të zvarritur veprimtarinë e Komisionit Hetimor. Nuk më çudit kjo sjellje, nuk e prisja që do të ndodhte në mbledhjen e parë duke ditur dhe përgjërimet për shtrirje dore dhe rikthim të veprimtarisë. Çudia e madhe ndodh, bojkot i parlamentit, bojkot nga mazhoranca.
Unë së bashku me kolegët e mi kemi vendosur të ndjekim të gjithë hapat procedurialë që Kushtetuta dhe ligji për Komisionet Hetimor përcakton. Do njoftoj kryetaren e Kuvendit, Konferencën e Kryetarëve dhe jam i vendosur deri në fund që mungesat pa arsye janë një shkak ligjor për të kërkuar zëvendësimin e tyre. Jemi të vendosur për të zbatuar ligjin dhe rregulloren karshi qytetarëve, për të treguar se kush i ka vjedhur zgjedhjet dhe cilët janë hajdutët. Sot u demaskuan.
Top Channel