Arabët e PIF kanë ardhur me ambicie të mëdha në krye të Newcastle, megjithatë duket se po hasin më shumë vështirësi sesa e kishin parashikuar dhe telashet po u shtohen nga dita në ditë.
Hapi i parë i tyre ishte të gjenin një trajner tjetër që të marrë vendin e Steve Bruce, por deri tani asnjë nga emrat e njohur si Conte, Zidane, Rodgers, etj., nuk kanë pranuar të ulen në stolin e “Magpies”. Së fundi arabët duhet të bëjnë llogaritë edhe me rivalët e tyre në Premier League, të cilët kanë bashkuar votat për të bllokuar investimet e menjëhershme të PIF në arkat e klubit anglez.
Sipas mediave angleze, Premier League ka kaluar me 18 vota pro, Newcastle kundër dhe Manchester City-n abstenim rregullin që ndalon lidhjen e marrëveshjeve të klubeve, me kompani në pronësi të aksionerëve të tyre. Thënë ndryshe, kompanitë arabe që lidhen direkt apo indirekt me PIF-in, nuk do të mund të lidhin dot marrëveshje sponsorizimi me Newcastle. Ky veprim është cilësuar si shkelje e konkurrencës nga “Magpies”, ndërsa premier League e ka arsyetuar si të domosdoshëm, për të mos i lejuar PIF-it në dorë instrumentin për të shmangur Fair Play-n Financiar.
Në këto kushte, arabët duhet të studiojnë mënyrat ligjore për të çuar para në arkat e Newcastle, pasi vetëm kështu mund të joshin trajnerë e futbollistë për t’i afruar në ekip.
Top Channel