Një nga porositë që kreu i PD, Lulzim Basha u dha deputetëve demokratë të Komisionit të Ligjeve lidhet me tre nismat që do të depozitojë nesër në Kuvend.
Në mbledhjen e zhvilluar pasditen e sotme, lideri i PD tha se amendamentet e propozuara janë të domosdoshme për të nxjerrë vendin nga kriza politike. Burime për Top Channel bëjnë me dije se Basha tha se inciativat po ndërmerren për shqiptarët, jo për PD.
Basha: Amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike janë të domosdoshme për të nxjerrë vendin nga kriza politike. Shqiptarët sot e dinë se problemet që ata hasin te çmimet, te pamundësia për të përballuar kostot e jetesës, në punësim, arsimim, shëndetësi, biznes e kudo tjetër burojnë aty ku e ka gjenezën lufta jonë me për kthimin e legjitimitetit, te zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Pra nuk po ndërmarrim këto iniciativa për Partinë Demokratike, por për shqiptarët, që të kenë mundësi të zgjedhin dhe mundësi për të zgjedhur kandidatët që nuk kanë lidhje me krimin, kandidatë që nuk kanë lidhje me korrupsionin.
Nga ecja përpara e këtyre iniciativave, përfitojnë qytetarët, si në rastin e zgjedhores dhe asaj territoriale, ashtu edhe në rastin e vetingut në politikë, jo një parti apo një tjetër, por çdo qytetar që kërkon ndryshim, që kërkon përfaqësim, që kërkon një politikë të pastër, larg ndikimit të krimit dhe korrupsionit.
Top Channel