Blendi Shkëmbi foli pas humbjes së Dinamos në Shkodër përballë Vllaznisë. Ai tha për mediat se lojtarët e tij bënë ca gabime por ndikoi edhe forma e mirë e Vllaznisë.
Shënoni tre gola, por dilni pa pikë. Çfarë ndodhi sot?
Vuajtëm shumë dhe nuk dolëm dot prej presionit të kundërshtarit. Unë kam luajtur vetë futboll dhe ndonjëherë është e vështirë ta mbledhësh skuadrën, ndaj ne sot na ndodhi pikërisht kjo.
A ndikoi mungesa e Sofranac?
Jo, unë nuk e shoh kështu. Ne kemi 20 lojtarë të cilët i paguajmë për të bërë më të mirën dhe kushdo që të luajë, duhet të bëjë maksimumin. Të mos harrojmë edhe cilësitë e Vllaznisë, që meritoi të fitonte.
Në një ditë si kjo pa dyshim ndikoi edhe forca e kundërshtarit…
E vërtetë, pasi e dinim që Vllaznia ka formë mjaft të mirë dhe u munduam të merrnim masat. Kam edhe unë përgjegjësitë e mia, pasi mund të bënim diçka më ndryshe. U munduam shumë, por nga eksperienca në fushë, e di që dëshira nuk shkon në të njëjtin drejtim me mundësitë.
Mos ndoshta në mesfushë nuk i kishit lojtarët e duhur për të bërë ndryshime?
Unë mendova të luaj dhe bëra zëvendësime me idenë që të barazonim dhe pse jo ta kthenim, por gjërat nuk shkuan mirë dhe unë marr përgjegjësitë e mia.
Ju merrni përgjegjësitë tuja shpesh, por edhe lojtarët besoj që duhet të marrin përgjegjësi pas kësaj ndeshjeje?
Unë e them me sinqeritet që marr përgjegjësi, pasi mendoj se mund të kem gabuar diçka. Sigurisht që ka edhe lojtarë që duhet të bënin më shumë dhe të merrnin më shumë përsipër në momente të vështira. Kur gjërat shkojnë mirë, të gjithë duken shumë mirë, por ka momente si sot, ku lojtarë të caktuar duhet të ndihmojnë ekipin.
Mendoni se ka nevojë për ndërhyrje në merkaton e janarit?
Jemi larg nga janari dhe për momentin unë dua t’u marr maksimumin këtyre lojtarëve që kam. Kur të vijë janari, do të bëjmë analizat tona, por deri atëherë kemi shumë ndeshje e punë përpara.
Top Channel