Ushtria koreano-jugore njoftoi se fqinji problematik verior ka lëshuar një raketë balistike nga një nëndetëse e tij në ujërat pranë Japonisë.
Peniani e kishte paraqitur në publik prototipin e kësaj rakete në muajin janar, duke e cilësuar atë si armën më të fuqishme në botë.
Shefat e Përgjithshëm të Shtabit në Seul thanë se lëshimi ishte bërë në lindje të Gadishullit Korean, e kjo u konfirmua edhe nga rojet bregdetare japoneze.
Sipas mediave në Korenë e Jugut, raketa besohet të ketë përshkuar ndërmjet 430 dhe 450 kilometra.
Kryeministri japonez, Fumio Kishida, dyshon se janë lëshuar dy raketa balistike. Veprimi i Phenianit vjen në një kohë kur kishte njoftime se shefat e inteligjencës së Koresë së Jugut, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara do të takohen në Seul për të diskutuar në lidhje me Korenë e Veriut.
I dërguari i posaçëm i SHBA -së për Korenë e Veriut u tha gazetarëve se Uashingtoni synon “diplomacinë” me Penianin dhe se nuk ka “asnjë qëllim armiqësor” ndaj këtij vendi.
Javët e fundit, Koreja e Veriut ka kryer një mori testesh të asaj që pretendohet se janë raketa hipersonike dhe me rreze të gjatë veprimi.
Top Channel