Propozimi i FIFA-s për të organizuar Kupën e Botës çdo dy vjet vazhdon të jetë prezent dhe me kalimin e ditëve sa vjen edhe përforcohet kjo ide. Arsen Wenger vijon të besoj te kjo tezë dhe po punon vazhdimisht për të bindur trajnerët dhe lojtarët që kjo ide të kthehet në realitet.
FIFA ka përcaktuar dy data, 19 dhe 21 tetorin për takimet “online” në një bashkëbisedim të hapur, i cili do të përbëhet nga Wenger dhe trajnerët e kombëtareve të ndryshme.
Qëllimi është për të bindur këta të fundit që kjo ide u vjen në ndihmë atyre, lojtarëve dhe vetë futbollit. Në këto seanca do të ketë një larmi pikash bisedimi, duke përfishërë fillimish shëndetin e lojtarëve, dritaret e ndeshjeve ndërkombëtare, por edhe kalendarin e mundshëm nga 2024. Ish-trajneri i Arsenalit e sheh të domosdoshëm këtë takim dhe kontaktin e parë ka kërkuar ta bëjë me vetë trajnerët dhe kjo jo pa qëllim. Arsen u shpreh optimist për projektin e ri duke theksuar
“Ky takim online me trajnerët e ekipeve kombëtare është vetëm fillimi, por kontributi i tyre është thelbësor për projektin e FIFA-s. Mundësitë për ta bërë realitet këtë ide janë sa afër po aq edhe larg, por ne duhet t’i shfrytëzojmë këto mundësi, spese ky dialog na ndihmon të gjithëve për të kuptuar se ku jemi dhe se çfarë kërkohet për të ardhmen”, – përfundoi Wenger.
Ideja e FIFA-s për të zhvilluar Kupën e Botës çdo dy vjet ka hasur shumë pengesa, sepse shume personalitete të njohura të botës së futbollit janë shprehur kundër, por, në krahun tjetër, ka dhe nga ata të cilët i japin dritën jeshile këtij projekti. Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë, por hapat e parë drejt konkretizimit të projektit kanë nisur.
Top Channel